Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pesë Prokurori Themelore dhe ajo e Apelit pritet të bëhen me kryeprokurorë të rinj sivjet

Sistemi i drejtësisë

Pesë Prokurori Themelore të Kosovës, konkretisht ajo e Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Pejës si dhe Prokuroria e Apelit në fund të këtij viti pritet të bëhen me kryeprokurorë të rinj pasi që mandati i kryeprokurorëve aktual skadon më 1 janar 2025.

Sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës numër 06/L-056, në nenin 22 sqarohet se mandati i Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore është 4 vjeçar, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kryeprokurori emërohet nga Këshilli për një periudhë katër (4) vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat shtesë”, thuhet në nenin 22 të Ligjit për KPK-në.

Ndryshe, më 24 dhjetor 2020 KPK-ja kishte përzgjedhur për kryeprokuror të Prizrenit Admir Shalën, kryeprokuror të Ferizajt, Shukri Jasharin, të Mitrovicës, Ismet Ujkanin, kurse të Pejës, Agim Kurmehajt dhe të Gjilanit, Arben Kadriun, i cili mandat për të gjithë kishte filluar më 1 janar 2021.

Gjithashtu, në po të njëjtën datë, pra me 24 dhjetor 2020, KPK kishte përzgjedhur në krye të Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, mandati i të cilit po ashtu do të skadojë më 1 janar 2025.

Sipas rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, në nenin 5 saktësohet se KPK-ja 60 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorëve aktual, shpall konkursin për emërimin e kryeprokurorëve të rinj.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2023, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është zgjedhur Zejnullah Gashi dhe kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, të dy me mandat 4  vjeçar.

Gjithashtu, në dhjetor të vitit 2023 në krye të Prokurorisë Speciale ishte emëruar Blerim Isufaj.