Arbëri

Përveç fletave poseduese, në Prishtinë kërkohet të lëshohen edhe kopjet e planeve në e-kiosqet

Sa herë që ka pasur nevojë për fletë poseduese të pronës, banori i lagjes “Kalabria” Isuf Shala thotë se ka pritur disa orë për ta marrë.

Ndërsa të mërkurën, ai thotë se është gëzuar kur ka kuptuar që këtë certifikatë, tani e tutje, do të mund ta marrë brenda rreth 2 minutave përmes kioskut elektronik.

Komuna ka lansuar si shërbim të ri nxjerrjen e certifikatave të pronës përmes sistemit elektronik.

Këtë shërbim do të mund të e marrin të gjithë qytetarët që nuk kanë konteste dhe që borxhin e tatimit në pronë e kanë nën 100 Euro, raporton “038” i KTV-së.

Ata e shohin të rëndësishme që në këtë mënyrë t’i nxjerrin edhe kopjet e planeve kadastrale, që aktualisht nuk u mundësohet.

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, e ka vlerësuar të rëndësishëm dhe transparent lëshimin në formë elektronike të këtyre certifikatave.

Por, qytetarët do të duhet të presin në rend për një dokument tjetër të kadastrit, kopjen e planit.

Ky shërbim i ri është i rëndësishëm edhe për Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtare USAID, që ka mbështetur këtë projekt.

“Jam mjaft i ngazëllyer që jam pjesë e inaugurimit të e-kioskut, e cila i bën më të qasshme këto shërbime. Është veprim i duhur që ndikon në jetën e çdo qytetari dhe të gjithë mund të shërbehen nga kjo me dokumentet e nevojshme dhe me këtë hapen shumë dyer”, ka thënë Paul Vaca, Drejtor i Zyrës së Programit dhe Politikave në USAID.

Në formë elektronike, qytetarët mund të marrin edhe dokumente nga gjendja civile.

Aktualisht këto shërbime ofrohen në tri e-kiosqet që gjenden në Prishtinë.

Komuna ka premtuar se numri i tyre do të rritet në 15, disa prej të cilëve planifikohet të vendosen edhe në fshatrat më të mëdha të kryeqytetit.