Shaip Kamberi ngelet i vetmi deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë. Ai më 2022 ka vazhduar të jetë zëri i vetëm shqiptar që në institucionin më të lartë të Serbisë përplasej me krerët e shtetit.
Ka ngritur zërin edhe në kërkesat ndaj Kosovës për çështjen e Luginës së Preshevës. Ka kërkuar prezencë më të madhe të Prishtinës zyrtare në Luginë e edhe që Lugina të bëhet pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Nevojën për këtë ia shprehu edhe emisarit amerikan për dialogun, Gabriel Escobar.
Ai ka qenë i zëshëm edhe në periudhën e regjistrimit të popullsisë në Serbi, duke kritikuar mungesën e regjistruesve me etni shqiptare dhe duke shprehur frikën për manipulim me procesin.
Pavarësisht përpjekjeve të partive serbe, Kamberi arriti edhe këtë vit të siguronte një tjetër mandat si deputet në Serbi. Për të ruajtur pozicionin, zgjedhjet në një vendvotim u përsëritën pesë herë. Herë siguronte votat e mjaftueshme e herë jo, deri në shpalljen zyrtare të rezultateve që ia vulosën mandatin e ri. Edhe pse është zëri i vetëm në Parlamentin e Serbisë, Kamberi nuk ishte zë unifikues i shqiptarëve. Ai pati përplasje të vazhdueshme me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi.