Arbëri

Përkujtohen ushtarët e Britanisë që humbën jetën në Kosovë

Ambasadori Nicholas Abott duke perkujtuar ushtaret britanike

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka organizuar, sot, ceremoninë e Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Me këtë rast janë përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre me Forcat e NATO-s në Kosovë.

Në këtë ceremoni krahas ambasadorit britanik Nicholas Abbott, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari si dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilët kanë bërë homazhe tek memoriali kushtuar ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar të rënë në misionin e tyre paqeruajtës në Kosovë, raporton televizioni publik.

“Është me rëndësi t’i kujtojmë të gjithë ata që kanë bërë sakrificën e madhe, jo vetëm ata që kanë humbur jetët e tyre por edhe ata që kanë shërbyer në operacione ushtarake në Kosovë“, ka theksuar Benjamin Ingham, nënkolonel i ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të KFOR-it.

{gallery}

Luftëtarët britanikë të NATO-s të cilët humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë, i ka përkujtuar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Nderimet e tij në sheshin “Edith Durham” të kryeqytetit Haradinaj i bëri duke vendosur lule në Memorialin e Dëshmorëve të Mbretërisë së Bashkuar.

“Në nderim të heroizmit dhe sakrificës së luftëtarëve britanik, sot në sheshin “Edith Durham” në kryeqytet, vendosëm lule në Memorialin e Dëshmorëve të Mbretërisë së Bashkuar. Me këtë rast u bashkuam me aleatët tonë strategjik, në shënimin e Aktit të Përkujtimit, ditë kur Britania e Madhe dhe Commonwealth-i, kujtojnë të rënët që nga Lufta e Parë Botërore”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.