Arbëri

Përkujtohen 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë

Përkujtimi i ushtarëve britanikë të rënë gjatë shërbimit në Kosovë

Foto: Kosova Press

Të punojmë për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe gjithë botën. Ky ishte mesazhi me rastin e përkujtimit të 14 ushtarëve të rënë britanikë gjatë shërbimit në Kosovë.

Ceremonia përkujtimore mblodhi diplomatë britanikë e të tjerë që veprojnë në vendin tonë, ushtarë të KFOR-it dhe FSK-së, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe politikanë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se kjo ceremoni të jetë frymëzim për të punuar për paqe.

“Ceremonia e sotme ka kuptime të ndryshme për secilin prej nesh. Shpresoj, ta vazhdojmë këtë ceremoni, për të frymëzuar të gjithë dhe shpresoj që ky mëngjes, të na frymëzojë që të vazhdojmë të punojmë për paqe, në këtë rajon dhe në të gjithë botën”, ka thënë ai, raporton “KosovaPress”.

Në këtë ceremoni ka pasur edhe lutje nga prifti britanik, si dhe fjalime të shkurtër dhe poezi nga ushtarët britanik për të rënët.

Nderime për ushtarët bënë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe komandantë që veprojnë në kuadër të KFOR-it.