Arbëri

Përfshirja e Rusisë dhe e Kinës në dialog, e parealizueshme sipas shoqërisë civile

Deklaratat e politikanëve serbë për përfshirjen e mundshme të Rusisë dhe Kinës në dialogun me Kosovën janë duke u parë më shumë si tentativë e forcimit të pozitës së tyre karshi BE-së. Njohësit e zhvillimeve rreth dialogut vlerësojnë se një përfshirje e tillë është e parealizueshme, ndonëse bëhet thirrje për kujdes nga institucionet e Kosovës.

E parealizueshme dhe tentim për forcim të pozitës së saj në tavolinën e bisedimeve është duke u konsideruar kërkesa e Serbisë për përfshirjen e Rusisë dhe Kinës në procesin e dialogut.

Gjatë vizitës në Rusi, të hënën, kryekuvendari i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se verifikimi përfundimtar i çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën duhet të bëhet nga anëtaret e Këshillit të Sigurimit.

“Tani për tani, dialogu vazhdon në Bruksel, por sigurisht që verifikimi përfundimtar i gjithçkaje, nëse ka ndonjë përparim, do të duhet të jepet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, kështu që në fund të gjitha ato vende të përmendura do të duhet të përfshihen në verifikimin përfundimtar të asaj marrëveshjeje”, ka thënë Daçiqi, si ka raportuar agjencia serbe e lajmeve, “Tanjug”. Daçiqi, si është raportuar në vazhdim, është ankuar edhe për presionin që ka thënë se po i bëhet Serbisë për njohjen e Kosovës.

Shoqëria civile në vend është duke i parë të rrezikshme nga deklarimet e tilla, për vet faktin që tash e një kohë janë duke u përsëritur. Megjithëkëtë, përfaqësues të saj u kanë bërë thirrje për kujdes institucioneve të Kosovës.

Nga Demokraci Plus vlerësojnë se përveç Kosovës, një gjë të tillë nuk do ta lejojnë as nga Bashkimi Evropian.

“Kërkesa e Serbisë për përfshirjen e Kinës dhe Rusisë mendoj që është e parealizueshme, për shkakun se njëra nga palët në këtë proces të dialogut, në këtë rast Kosova, nuk e pranon një gjë të tillë. Por, edhe Bashkimi Evropian do të jetë rezistent ndaj një ideje të tillë. Kjo kërkesë e Serbisë do të përfundojë në listën e dëshirave të parealizuara të palës serbe”, ka thënë Emir Abrashi, hulumtues në “Demokraci Plus”. Abrashi shton se kërkesa serbe është e natyrshme, pas asaj të Kosovës për përfshirjen më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë.

“Edhe SHBA-ja nuk është aq e interesuar që të jetë aktivisht më e involvuar në procesin e dialogut, megjithatë ajo është e interesuar që ky proces të marrë fund sa më parë”.

Në anën tjetër, Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike thotë se kërkesat e tilla bëhen për disa arsye. Sipas tij, tanimë është e qartë se në dialogun Kosovë-Serbi nuk ka nevojë për akterë shtesë.

“Deklaratat e këtilla duhet parë edhe si një tentativë e politikanëve serbë për ta përforcuar pozicionin e Serbisë, sidomos karshi BE-së dhe SHBA-së dhe gjithashtu nuk duhet anashkaluar edhe elementin e konsumit të brendshëm, duke e ditur që zgjedhjet në Serbi janë më 2022 dhe relacioni mes Serbisë dhe Rusisë atje çon peshë elektoralisht”, ka thënë Berisha.

Sikurse Abrashi, edhe Berisha është i mendimit se përfshirja e SHBA-së në bisedimet me Serbinë këtë herë nuk do të jetë direkte, por me shumë në formën e mbështetjes, ashtu siç ka qenë edhe para se administrata amerikane të udhëhiqej nga Donald Trump.

Pyetjeve të KOHË-s lidhur me atë se si kryeministri do t’u qaset kërkesave të tilla, nuk u janë përgjigjur nga Qeveria e Kosovës gjatë së martës.

Për herë të parë që nga marrja e detyrës së kryeministrit në mars të këtij viti, Albin Kurti do të vazhdojë bisedimet me presidentin Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Bisedime të tilla, të nivelit të lartë nuk janë zhvilluar mes dy vendeve që nga muaji shtator i vitit të kaluar.

Me të marrë detyrën e të parit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, kishte deklaruar se para se të dialogojë me Serbinë, synon të bëjë dialog të brendshëm, me qëllim të arritjes së unitetit për këtë proces. Por, thirrjeve të tij për takim, në fund të muajit maj, i janë përgjigjur vetëm krerët e dy partive opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetarët e këtyre dy subjekteve politike kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që në dialogun me Serbinë të jenë të përfshira edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.