Që nga 1 nëntori, 1005 vetura me targa ilegale në veri janë konvertuar në RKS.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.
Për konvertimin e veturave në veri, Ministria e Punëve të Brendshme pati thënë se ka ndodhur pasi që “sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm”.
Më 30 tetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pronarëve të automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, t’ua shtyjë afatin për riregjistrim në targa RKS, me benefite financiare, deri më 1 dhjetor të vitit 2023.
Vendimi i ri, parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës, është thënë nga Qeveria.