Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi deputetëve të Listës Serbe nuk iu lejua të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten.
Deputetët e VV-së penguan ata të Listës Serbe duke u thënë se shkojnë në Kuvend vetëm për nënshkrim dhe të sigurojnë pagën. Ndërsa kryeparlamentari, Glauk Konjufca, u tha se këta deputetë keqpërdorin para të taksapaguesve duke marrë pjesë vetëm njëherë në gjashtë muaj në seanca. Ai i akuzoi këta deputetë edhe se e luftojnë Kosovën me çdo mjet.
“Edhe një herë presidenti Aleksandar Vuçiq tregoi se kishte të drejtë kur tha se plani i Kurtit ishte eliminimi i Listës Serbe me të gjitha mjetet dhe për këtë arsye u nis makineria propagantistike e Prishtinës në lidhje me kanalin e Ibër-Lepencit. Kurti nuk ia doli, e vendosi t’ua ndalojë fizikisht anëtarëve të Listës Serbe që t’i mbrojnë mandatet në seancë”, ka thënë Petkoviq, raporton “Kossev”.
Ai ka deklaruar se deputetët e Listës Serbe janë zgjedhur “me votën e popullit serb, që i ka dhënë mandate dhe legjitimitet, prandaj Kurti nuk mund t’ua heqë mandatet e as t’i ndalojë”.
“Është e qartë se Kurti do të dëshironte ta heqë edhe Listën Serbe edhe popullin serb nga Kosova e M., në mënyrë që ta përfundojë politikën e tij të ‘Shqipërisë së madhe’ dhe një krahinë në të cilën nuk ka serbë, por nuk do të mund ta realizojë këtë”, ka thënë Petkoviq.
-
Lista Serbe thotë se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare
-
KDI: Pengimi i deputetëve të Listës Serbe, cenim i mandatit kushtetues
-
VV-ja tenton të mos e lejojë Listën Serbe në Kuvend, Konjufca ndërpret seancën
-
Thirrja e Petkoviqit që serbët të votojnë LS-në po vlerësohet si ndërhyrje direkte në zgjedhje
-
Serbia ndërhyn sërish në zgjedhjet e Kosovës