Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet të Kuvendit, si akt solidar për atë që po ndodh me figurat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Në Speciale tashmë është paraqitur edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, që për dy mandate ishte edhe kryetar i Kuvendit.
Së bashku me të, drejt Hagës janë transferuar edhe tashmë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe shefi i Grupit parlamentar të Kosovës, Rexhep Selimi.
“Kosova si shtet dhe shoqëria jonë si bashkësi, janë duke kaluar një rrethanë aspak të zakonshme, për të mos thënë të jashtëzakonshme. Që nga e hëna, dje, si dhe sot, në Hagë janë paraqitur si të akuzuar për krime lufte, drejtuesit kryesor të luftës sonë për liri dhe pavarësi. Për këtë fakt, ky zhvillim natyrisht se prekë traditën e Kuvendit, nëse jo për ndonjë angazhim specifik, së paku për një reflektim solidar. Dhe ne si Parti Demokratike e Kosovës, përballë këtij zhvillimi, kemi nevojë për reflektim solidar, duke e shtyrë prezencën tonë për një javë, në zhvillimin e zakonshëm të agjendës së këtij kuvendi”, ka thënë Tahiri.
Ai ka ftuar edhe krerët institucionalë "për reflektimi solidar".
Edhe
Veseli nuk tregon se në çfarë cilësie është ftuar në Hagë
"Ndërkohë që deri në rikthimin tonë në agjendën e zakonshme në Kuvendin e Kosovës në javën e ardhshme, mirëpresim një reflektim solidar edhe nga bartësit e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës", ka shtuar ai.
PDK-ja ka bërë të ditur këtë vendim, vetëm një orë e gjysmë para se të nisë seanca e paralajmëruar e Kuvendit, ku pritet të votohet në shqyrtim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike.