Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja nis zyrtarisht “Dekadën e Re”, thonë se të rinjtë s’i përdorin vetëm për protesta

Rinia Demokratike e Kosovës sot do të zgjedhë organet e reja drejtuese për katër vitet e ardhshme. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar para delegatëve se nga sot edhe zyrtarisht po fillon Dekada e Re.

“Sot është dita e rinisë, nga sot do të themi edhe në mënyrë zyrtare fillon Dekada e Re. Dekada e transformimit modern të Kosovës sonë, dekada e integrimeve kombëtare dhe euro atlantike të Kosovë sonë, dekada e re e inovatorëve dhe fitimtarëve, dekada e juaja rini e Kosovës... Dikush që sot nuk është ende në radhët tona, me të drejtë mund të pyes: po çfarë është dekada e re? Mbi të gjitha dhe para së gjithash dekada e re është rinia në lidershipin e vendit, në vendimmarrje dhe inovacion, potenciali i të rinjve, forcë e transformimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, është rruga e përparimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, nën lidershipin e vendosur të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Veseli.

I pari i PDK-së, ka shtuar se nuk ka forcë që mund ta ndalojë një vend kur fatin e tij e marrin në duar të rinjtë. E gjithë historia kombëtare, sipas tij, e dëshmon këtë, e dëshmon e tashmja dhe do ta dëshmojë edhe e ardhmja.

Fjalë të mëdha për rininë ka folur edhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.

“Nëse shihni shembullin e PDK-së, i riu nuk ka qenë vetëm mjet i veprimeve politike. Ne të riun nuk e përdorim vetëm për pllakata ose ndonjë protestë, ne e përdorim për mendim politik, për ide politike, për guxim politik dhe për vendimmarrje në Kosovë”, theksoi Kuçi.

Ish kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Shpresa Rama, ka falënderuar të gjithë të rinjtë dhe të rejat që për katër vite bashkëpunuan bashkë në të gjitha proceset duke shënuar vetëm fitore, raporton Ksp.

Edhe PDK-ja nis zgjedhjet e brendshme, folësit e quajnë kryeministër të ardhshëm Kadri Veselin Arbëri PDK-ja nis zgjedhjet e brendshme, folësit e quajnë kryeministër të ardhshëm Kadri Veselin

“Ne rinia nuk kemi qenë thjeshtë një forum me tepër i partisë, por kemi qenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes, pjesë e rëndësishme e Kosovës, kjo është ajo që e ka dalluar dhe e dallon PDK-në nga të gjitha partitë tjera sa i përket rinisë, e tillë do të mbetet gjithmonë”, u shpreh ajo.

Kjo është konventa e gjashtë zgjedhore e Rinisë Demokratike të Kosovës. Në këtë konventë, RDK-ja do të zgjedhë kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e kryesisë që do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme.