Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja kërkon zgjedhje sa më parë, LDK-ja insiston në dorëheqjen e Kurtit

Opozita assesi nuk po mund të gjeje pajtim për mënyrën se si duhet shkuar në zgjedhje. Derisa partia me e madhe opozitare PDK-ja kërkon shpërndarjen e Kuvendit, LDK-ja po kërkon dorëheqjen e Qeverisë, e AAK-ja mocion mosbesimi. Por analistë politikë thonë se pavarësisht diskursit, të gjitha janë të gatshme për koalicion me Vetëvendosjen.

Partitë opozitare e kanë të përbashkët mendimin lidhur me performancën e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, por janë të ndara në mënyrën se si e shohin rrëzimin e tij nga pushteti.

Për Partinë Demokratike, matematika është e thjeshtë, me që sipas tyre, qeverisja nuk është e mirë, atëherë duhet shkuar në zgjedhje sa më parë.

“Kjo duhet të jetë një agjendë e jona e përbashkët, me që ne të gjithë po pajtohemi që kjo qeveri është e gabuar, që vendi nuk është në drejtimin e duhur. Atëherë, mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re, është për të shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë”, ka deklaruar Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së.

E në Lidhjen Demokratike kërkojnë kujdes në rendimin e veprimeve politike opozitare, pasi sipas tyre, qeveria së pari duhet dorëhequr që të mos amnistohet për keqqeverisje.

“Dorëheqje, pastaj shpërbërje e pastaj zgjedhje është ai rendi i cili i jep përgjigje keqqeverisjes, i jep përgjigje këtyre gjërave negative në çdo sferë. I jep përgjigje çdo skandali diplomatik e politik të kësaj qeverie, i jep përgjigje çdo dështimi, siç ishte rasti me Këshillin e Evropës. Pra, nuk e amniston këtë qeveri nga bilanci jashtëzakonisht negativ i tre vjetëve të fundit”, ka thënë Berat Rukiqi, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Edhe Opozita s'pritet të pajtohet për shpërndarje të Kuvendit Arbëri Opozita s'pritet të pajtohet për shpërndarje të Kuvendit

As në Aleancë nuk pajtohen që të shpërndahet Kuvendi, por të shkarkohet qeveria.

“Secila jemi parti në veti dhe rezonojmë në formën që ne dëshirojmë me pas. Aleanca ka qenë e para që ka kërkuar mocion mosbesimi për qeverinë dhe jo shpërndarjen e Kuvendit. Ne ende qëndrojmë në atë. Nuk është e drejtë që të shpërndahet Kuvendi, ndërkaq të ngelet qeveria e cila ka performancën më të keqe të mundshme dhe që i ka sjell dëme më të mëdha Kosovës”, është shprehur Time Kadrijaj, deputete e AAK-së.

Njohësi i rrethanave politike, Dritëro Arifi, tha se pavarësisht diskursit, të gjitha partitë janë të gatshme të bashkëqeverisin me Vetëvendosjen.

“Po unë e shoh në prizmin e një pragmatizmi politik. Të gjitha partitë ndonëse tash po tregohen shumë të fuqishme apo në vija të ndara, përveç PDK-së që është zbutur jashtëzakonisht shumë, por edhe të tjerat nëse ka një ofertë të mirë, një program të mirë, besoj që secilën parti e shoh në qeverisje me Vetëvendosjen”, ka thënë Dritëro Arifi, analist politik.

Edhe Opozita kërkon marrëveshje politike për presidentin LAJMET E MBRËMJES Opozita kërkon marrëveshje politike për presidentin

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi të premten iu drejtua partive opozitare në thirrje për unifikim drejt shpërndarjes së Kuvendit, por LDK-ja e AAK-ja iu përgjigjën negativisht ftesës.

Krasniqi paraprakisht ka mbajtur një takim edhe me kryeministrin Kurti, ku kanë diskutuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.