Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja e pakënaqur me buxhetin, nuk voton marrëveshjet ndërkombëtare

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se buxheti i miratuar sot në rishikim, nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve. Për këtë, ajo tha se partia që i përket nuk do të marrë pjesë në seancën e re që do të nisë për pak minuta, e ku duhet të miratohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare.

Ajo në një konferencë për media tha se buxheti nuk i plotëson as pikat e programit të partisë në pushtet.

Ajo tha se Qeveria nuk ka plan për rimëkëmbje.

“Kemi parë një tendencë për diskriminim të komunave që nuk i qeverisë VV-ja. Përmes këtij rishikimi po rritet edhe borxhi publik. Kemi parë tendencë për keqpërdorim të Qeverisë, e kemi parë rastin me tiketa ngjitëse dhe tenderët një-burimor”, tha ajo. “PDK-ja për këtë nuk e ka votuar rishikimin e buxhetit. PDK-ja ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Sot është afati i fundit për miratimin e këtyre marrëveshjeve. Në rast se nuk miratohen, Kosova humb mbi 80 milionë euro.