4 perditesime
16:21

Kuvendi dështon t’i miratojë marrëveshjet ndërkombëtare për shkak të mungesës së kuorumit

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të mbajë seancën plenare në të cilën në rend ditë ishte votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të mungesës së kuorumit.

Për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, nevojiten dy të tretat e deputetëve , apo më shumë se 80 deputetë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka thënë se do të njoftojnë me kohë për mbajtjen e seancën në të cilën do të hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare.

“Tani për tani nuk kemi numra të mjaftueshëm, nuk kemi kuorum. Propozoj që këtë diskutim ta kthejmë në mbledhje të kryesisë dhe të caktohet një seancë kur plotësohen kushtet që të vazhdojmë me këto pika të mbetura nga dy seancat e mëhershme, ju njoftojmë me kohë për datën dhe vazhdimin e këtyre seancave”, ka thënë Bogujevci.

Në rend ditë ne seancën e cila dështoi të mbahet, ndër të tjera ishin për votim edhe këto projektligje: Votimi i projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore; Votimi i projektligjit për amendamentimin 02 të marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II); Votimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+); Votimi i projektligjit për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Gjithashtu në këtë seancë ishte paraparë propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Në seancën e sotme Kuvendi ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

https://www.koha.net/arberi/281845/pdk-ja-e-pakenaqur-me-buxhetin-nuk-voton-marreveshjet-nderkombetare/

13:52

Kuvendi miraton Ligjin për rishikimin e buxhetit

Më 69 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për rishikimin e buxhetit.

Gjatë miratimit të shqyrtimit të amendamenteve vetëm një nga amendamentet e propozuar nga opozita përkatësisht nga Blerta Deliu ka kaluar, bëhet fjalë për ndërtimin e një çerdheje në Skenderaj.

11:55

Tahiri për VV-në: A po e shfrytëzoni buxhetin për të forcuar pozicionin tuaj në komuna

Ne debatin që po zhvillohet për rishikimin e buxhetit deputeti i AAK, Besnik Tahiri ka thënë se rreth 80 milionë euro janë anuluar në projekte kapitale që prekin komunat.

Tahiri ka pyetur nëse po shfrytëzohet buxheti për të përforcuar pozicionin politik të Vetëvendosjes nëpër Komuna.

E vet Tahiri që është kandidat për kryetar të Podujevës ka kërkuar që të ketë ecuri më të madhe në projektin e rrugës Prishtinë-Podujevë.

10:56

Kuvendi nis me një minutë heshtje e vazhdon me kritika

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën me një minutë heshtje në nderim viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kroaci.

Në këtë seancë ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, Armend Muja në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka thënë se e mbështesin projektligjin meqë pas rishikimit janë rritur shpenzimet prej më shumë se 63 milionë euro që janë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike.

Por Bedri Hamza, nga PDK-ja ka thënë se ka një dallim mes programit të qeverisë dhe buxhetit.

“Premtimet nuk janë të reflektuara në buxhet. Nuk do të ketë rritje të pagave as të pensioneve. Kemi një mos reflektim të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Qeveria mund të mos pajtohet por derisa është në fuqi duhet të respektuar. Ajo çka e karakterizon këtë buxhet është deficiti i lartë. Kjo rrezikon që në një periudhë të afërt të rritet borxhi publik dhe kjo i bie që rritja ekonomike prej 3 ose 4 për qind do të jetë vetëm për mbulimin e borxhit” ” ka thënë Hamza.

Sipas Hamzës, nëse vjen rritja ekonomike prej borxhit publik, nuk është rritje e qëndrueshme ekonomike. ‘Nuk e përmban as programin e Qeverisë as kërkesat e qytetarëve. Nëse vazhdon rritja e borxhit do të identifikoheni si Qeveria që ka rritur më së shumti borxhin” është shprehur më tutje Hamza.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se kur merren krahasimet duhet të merret referencë viti 2019, e jo viti kur vendi përballej me pandemi.

Ajo më tutje ka thënë se ka rritje krahasuar me vitin e kaluar, por që krahasimet nuk janë reale kur kihet parasysh që ka pasur mbyllje.

Edhe Bajrami ka thënë se në buxhet nuk ka reflektim të programit dhe se nuk është as Banka Zhvillimore dhe Fondi Sovran, derisa ka kritikuar deputetin Muja, i cili tha se bizneset kanë kthyer besimin tek Qeveria. Bajrami ia ka përmendur këtu Mujës kontratën për tiketa ngjitëse dhe dhjetëra kontrata njëburimore të Ministrisë së Infrastrukturës.

Kritika pati edhe për fondet për rimëkëmbje duke thënë se vetëm një masë është zbatuar ajo për gastronomët dhe nuk ka pasur zbatim të masave tjera edhe pse me buxhetin aktual ka fonde për zbatim të pakos së rimëkëmbjes.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK, ka thënë se ky rishikim i buxhetit është i pabarabartë dhe se është bërë për të fituar politikisht.

"Nuk i keni marr për bazë interesat e qytetarëve por vetëm përfitimet e juaj" ka thënë Lekaj duke kritikuar kryetarët e komunave, që udhëheqin nga Vetëvendosje.

08:06

Sot në Kuvend votohet rishikimi i Buxhetit për vitin 2021

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot nga ora 10:00 seancën plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

E, nga ora 14:00 do të vazhdojnë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Të hënën, më 2 gusht, po ashtu, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, ku pos pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, pritet të debatohet lidhur me punën e 100 ditëve të para të Qeverisë Kurti.

Në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Qeverisë për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik, si dhe të zgjidhen kryesuesi dhe dy anëtarë të ZRRE-së, si dhe tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave. \ ksp