Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja e Aleanca sërish në Kuvend: Shteti nuk është pronë private e askujt

pdk

Foto: Driton Paçarada

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë mbledhur në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica para deputetëve të këtyre dy grupeve parlamentare ka thënë se askush nuk  ka të drejtë të ndalë konstituimin e Kuvendit.

“Kush ka të drejtë ta ndalë konstituimin dhe përfundimin e tij. Kush ka të drejtë t’ua marrë deputetëve mandatin. Kush ka të drejtë të vendosë se kur Republika funksionon dhe kur pret. Asnjë deputetet dhe asnjë parti. Ky shtet nuk është pronë private e askujt, Kushtetuta nuk është pronë private, Kuvendi nuk është pronë private, Republika nuk është pronë private”, ka thënë ai.

Tutje ka kritikuar administratën e Kuvendit për mungesë të zërimit. Ka shtuar se askush s’ka të drejtë ta ndalë zërimin në sallën e Kuvendit pavarësisht se sa deputetë janë.

“Është shumë më e lehtë ta dëmtosh një institucion se sa ta ndërtosh. Një shtet nuk rrënohet domosdo brenda një nate, ai rrënohet dalëngadalë”, ka thënë ai.

Edhe PDK-ja dhe Aleanca i kërkojnë Kurtit ta lirojë objektin e Qeverisë dhe ta konstituojë Kuvendin LAJMET E MBRËMJES PDK-ja dhe Aleanca i kërkojnë Kurtit ta lirojë objektin e Qeverisë dhe ta konstituojë Kuvendin

Ai ka shtuar se për gjashtë vjet, Kosova ka kaluar kriza, tension institucional, përplasje me aleatët e polarizimit të shoqërisë.

“Mentaliteti i vandalit politik nuk mund të bëhet model qeverisje, vendi nuk mund të mbahet gjithmonë në krizë. Demokracia testohet kur institucioni të kufizon, demokracia testohet edhe kur duhet të pranosh që shteti është më i madh se ti. Për 6 vjet sidomos këto dy vjet Kosova ka kaluar kriza, tension institucional, përplasje me aleat, ndërhyrje të dëmshme te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kemi parë një polarizim të thellë të shoqërisë”, ka thënë ai.

Ka deklaruar se nuk ka njeri tjetër që mund ta detyrojë Avni Deharin ta ftojë seancën përpos Albin Kurtit.

Deputetja e Aleancës Time Kadrijaj e ka zhvendosur flamurin kombëtar nga ulësja e Albin Kurtit  në Kuvend te foltorja.

Në fjalën e saj ajo ka akuzuar Kurtin se qëllimisht po e shkatërron sistemin kushtetues të vendit.

“Po dua t’i them Albinit, nuk mundesh me këtë flamur ata trena mi përcjellë në Serbi, as me flamur të Kosovës. Ata trena mundesh me i përcjellë vetëm më flamur të Serbisë. Ti je shkelës i Kushtetutës dhe qëllimshëm po rrënon sistemin kushtetues”, ka thënë ajo.

Pavarësisht ftesave të njëpasnjëshme të këtyre të Aleancës e PDK-së për kryesuesin e seancës për vazhdimin e saj, në LVV kanë thënë se pa marrëveshje nuk do ta thërrasin atë. 

Edhe Deputetët e PDK-së e të Aleancës sërish mblidhen në Kuvend, presin konstituimin Arbëri Deputetët e PDK-së e të Aleancës sërish mblidhen në Kuvend, presin konstituimin

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kur është pyetur se kur do të thirret vazhdimi i seancës konstituive, u përgjigj shkurt se nuk është ai që e thërret seancën, por kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari. 

Ndonëse është mbajtur seancë më 6 gusht dhe vazhdimi i saj më 8 gusht, Kuvendi ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Kanë mbetur në rend të ditës zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Deputetja e Aleancës Time Kadrijaj ka zhvendosur flamurin kombëtar shqiptar nga ulësja e Kurtit në foltoren e Kuvendit