Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja e AAK-ja bojkotojnë adresimin vjetor të Osmanit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë bojkotuar adresimin vjetor të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë që deputetët e partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë qëndruar në sallë në kohën e fjalimit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur jo të lehtë vitin 2023. Fjalimin vjetor para deputetëve dhe qytetarëve nga foltorja e Kuvendit, ajo e ka nisur me sulmin në Banjskë nga grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi.


Tahiri: Osmani po i nënshtrohet Kurtit

Për bojkotimin e adresimit tw Osmanit shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka listuar disa arsye, duke thënë se presidentja ka braktisur rolin unifikues dhe po i nënshtrohet kryeministrit, Albin Kurti.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës edhe këtë vit nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani, sepse e njëjta fatkeqësisht ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit”.

“Zonja Osmani, si presidente ka heshtur edhe atëherë kur do të duhej ta ngriste zërin fuqishëm përballë sfidave që ka kaluar vendi jonë gjatë këtij viti, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm. Zonja Osmani si presidente që në krye të herës e ka braktisur rolin unifikues që do të duhej ta kishte sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanshmëri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit”.

“Fatkeqësisht në rreth tri vite të mandatit të saj si presidente nuk shquhet për asnjë nismë të vetme, as në raport me gratë e as në raport me grupet e tjera shoqërore. Po ashtu, duke qenë përfaqësuesja më e lartë e shtetit, zonja Osmani si presidente ka dështuar tërësisht në përfaqësimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata serioze ndërkombëtare”.

Tahiri mes tjerash vlerëson se Osmani nuk e ka mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.

“Nga ana tjetër, zonja Osmani si presidente nuk e ka pasur as kurajon më të vogël politike dhe institucionale për të mbrojtur Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, proces i cili Kosovës i solli marrëveshjen më të dëmshme të mundshme – atë të Brukselit, Aneksin e saj të Ohrit dhe së fundi edhe draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si derivat i kësaj marrëveshje. Pra, duke qëndruar e heshtur edhe përballë procesit të dialogut që vendit i solli autonominë politike dhe territoriale serbe në Kosovë, e në anën tjetër duke qënë kreu i shtetit dhe përfaqësuese e parë e Kosovës në politiken e jashtme, ajo ka dhënë dëshminë më të madhe që vetëm përfaqësuese e unitetit të popullit nuk mund të jetë”.

Artikuj të ngjashëm