Arbëri

Pavarësisht kontratës 12-milionëshe, për punë të ngjashme Komuna ndau edhe 1.2 milionë të tjera

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Komuna e Prishtinës ndonëse kishe kontratë për shërbime të ngjashme në vlerë për 12 milionë eurosh, në vitin 2024 nënshkroi edhe një kontratë tjetër në vlerë prej 1.2 milionë eurosh.

Sipas Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore 2024, Komuna në mars të vitit 2023 kishte lidhur kontratë me titullin “Konsulencë për themelimin e shërbimit të arkitektit të kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës” me vlerë 12,000,000€. 

Kjo kontratë thuhet se përfshin përgatitjen për standardizimin dhe dizajnin e projekteve të ndërtimit, planeve urbanistike, hartave zonale. Gjithashtu thuhet se përfshin edhe konsulencë dhe projektime të arkitekturës për nevoja emergjente të Kryeqytetit, organizimin e konkurseve, ekspozitave, angazhim të ekipeve vlerësuese, shërbime ndihmëse profesionale për nevojat e drejtorive, etj.

Por auditori ka gjetur së në shkurt të vitit 2024 Komuna kishte lidhur një kontratë me vlerë 1,200,000€ për konkursin dhe projektimin e objektit “Art & Technology Hub – Tulltorja”. 

Kjo kontratë thuhet se përfshin katër faza të plota të projektimit: projekti ideor i përpunuar, projekti skematik, projekti zbatues dhe plotësimi i dokumentacionit sipas kërkesave të Drejtorisë së Urbanizmit.

Sipas raportit shërbimet e përfshira në këtë kontratë janë të natyrës së njëjtë me ato të përfshira në kontratën ekzistuese 12 milionëshe, e cila thuhet se mbulon edhe nevoja të tilla projektimi varësisht kërkesave të Komunës.

Sipas raportit ky projekt nuk ishte i paraparë as në planifikimin e prokurimit, ndërsa nuk kishte marrë as arsyeshmëri nga njësia e kërkesës.

Kjo thuhet se kishte ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve lidhur me vlerësimin dhe vendosjen e specifikave për projekte në procesin e tenderimit.

Lidhja e një kontratë të re pavarësisht ekzistencës së kontratës aktuale për shërbime të ngjashme thuhet se rrit rrezikun për mbivendosje të shërbimeve dhe shpenzime të dyfishta për të njëjtat qëllime.

Auditori i ka rekomanduar krytarit të Prishtinës, Përparim Rama, që të sigurojë që para inicimit të kontratave të reja, të bëhet një analizë e plotë e mbulueshmërisë së kontratave ekzistuese, për të shmangur mbivendosjen dhe dyfishimin e shërbimeve.

Në raport thuhet se Komuna e Prishtinës është pajtuar me këtë gjetje. 

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për gjetjet e raportit dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.

Lexo përditësimet tjera
Perparim Rama komuna

Shkeljet milionëshe që Auditori i gjeti në Komunën e Prishtinës

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur dhjetëra shkelje të kryera nga Komuna e Prishtinës në vitin...