Një muaj pasi që KOHA raportoi se si me mungesën e një tavoline stabile në Klinikën Ortoedike ishin arsyetuar referime të pacientëve për trajtim kirurgjik jashtë vendit, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka njoftuar për furnizimin me pajisjen e re.
“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë një hap përpara në avancimin dhe rritjen e numrit të shërbimeve mjekësore në QKUK, duke investuar në pajisje të reja, të cilat pritet të reflektojnë direkt në uljen e numrit të referimeve jashtë vendit. Klinika e Ortopedisë është pajisur me tavolinën operative moderne, që mundëson trajtimin kirurgjik të boshtit kurrizor. Në mungesë të saj, më herët, pacientët shpeshherë është dashur të kërkojnë ndihmë në spitalet jashtë Kosovës apo në ato private”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së të mërkurën.
{gallery}
Tavolina ishte bërë shkak që një repart i Klinikës Spinale të mos punonte fare për së paku dy vjet. Gjatë hulumtimit të Programit për Trajtim Jashtë Vendit, KOHA e ka parë si arsyetim mungesën e një tavoline stabile për ndërhyrje kirurgjike. Një tavolinë e tillë, e re, i ishte blerë kësaj klinike në vitin 2019. Megjithatë, mjekët qenë shprehur se tavolina e re nuk është stabile.
Sipas hulumtimit, një tavolinë e tillë kushtonte rreth 18 mijë euro. Megjithatë, në mungesë të saj qindra mijëra euro në vit, e ndër vite miliona, i janë dhënë sektorit privat.
Edhe
“Tavolina” – arsyetimi i Ortopedisë që çon qindra mijëra euro te privatët
Deri në vitin 2019, për këtë repart u blenë tavolina të reja kirurgjike. Tavolinat arritën në nëntorin e atij viti, e deri atë ditë shfrytëzoheshin tavolina më të vjetra për ndërhyrje.