Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për KOHËN e konfirmoi vizitën e Lajçakut porse nuk i tregoi temat për të cilat pritet të diskutohen, takimet që do t’i zhvillojë apo datën e ardhjes së tij.
“Takimet dhe vizitat e përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, janë pjesë e agjendës dhe punës së tij, dhe, për momentin, nuk mund të japim informacione specifike. Kur të ketë më shumë detaje, do t’i ndajmë me ju”, tha Stano.
Këshilli i Bashkimit Evropian do të diskutojë të hënën, më 12 tetor, në nivel ekspertësh rreth dialogut Kosovë-Serbi. Për Lajçakun, ky diskutim ndodh për herë të parë prejse ai është emëruar i dërguar i posaçëm për dialogun. Normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë tema e parë e takimit mes ministrave evropianë, që do të mbahet të hënën në Luksemburg.
Pas këtij takimi, vijon vizita e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi.
Edhe
Lajçaku viziton Serbinë më 10 shtator
KOHA ka pyetur në BE edhe nëse Lajçaku nis këtë vizitë për të diskutuar rreth temës së Asociacionit, porse nuk ka marrë përgjigje.
Tema e Asociacionit është shkaku që ka ngecur dialogu Kosovë-Serbi. Serbia pati kërkuar që në rend dite të futej edhe tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por Kosova pati refuzuar që kjo temë të jetë çështje e diskutueshme.