Pas pesë mandateve si kryetar i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha nuk do të jetë më kandidat për këtë pozitë në zgjedhjet e 12 tetorit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi të martën ku njofton edhe kandidaturën e Besnik Osmanit si pasues të Berishës.
“Nga një fitues te një tjetër. Nga Burim Berisha te Besnik Osmani”, shkruan Abdixhiku, duke e cilësuar këtë si një ndërrim epokash brenda partisë dhe komunës.
Ai falënderoi Berishën për kontributin 25-vjeçar në udhëheqjen e Fushë-Kosovës, duke theksuar se gjatë kësaj kohe, nga një “qytezë fushash, komuna është shndërruar në një qytet me zhvillim të lartë dhe me mbi 70 mijë banorë”.
“Burimi nuk ndërtoi vetëm rrugë e shkolla – ai ndërtoi besim, respekt dhe kulturë të shërbimit publik. Sot, me aktin e kalimit të stafetës, ai dëshmoi edhe një herë madhështinë e karakterit të tij”, u shpreh Abdixhiku.
Kandidati i ri i LDK-së për këtë komunë, Besnik Osmani, është prezantuar si një profesionist me përvojë në qeverisje, me vizion dhe maturi për të çuar përpara projektet dhe vlerat që përfaqëson partia në këtë qytet.
“LDK në Fushë Kosovë nuk është vetëm parti – është familje”, shkroi Abdixhiku, duke theksuar se procesi i tranzicionit është bërë me dinjitet dhe unitet të plotë brenda strukturave të partisë.