Mahir Yagcılari po i kalon orët e fundit në zyrën ku për nëntë vjet shërbeu si ministër i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës.
Yagcilar po largohet nga ekzekutivi kosovar pas 12 vjetëve, pasi tre vjet radhazi ishte edhe ministër i Mjedisit, raporton KTV.
Të qenit pjesë e Qeverisë së Kosovës për kaq shumë vjet thotë se ishte shumë e rëndësishme për të, e ndryshimi thekson se është pjesë e demokracisë.
Sfidë për ish-ministrin turk, ka qenë buxheti i limituar, e si sukses përmend reformat në administratën publike.
Yagcilar bashkimin e Ministrisë së Administratës me atë të Punëve të Brendshme nuk e sheh si vendim të duhur.
Megjithatë, pret nga ministri i ri që të vazhdojë punën në reformën e administratës publike dhe në ngritjen profesionale të stafit civil.
Ish-ministri thotë që gjatë këtyre vjetëve ka mësuar që puna ka sukses kur bëhet bashkë si ekip.
Si përfaqësues i komunitetit turk, përmend se qëllimi i tij ka qenë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të jetë shembull se edhe komuniteti i tij dëshiron që Kosova të forcohet si shtet.