Fushatën zgjedhore për balotazhin e 14 nëntorit, partitë politike e kanë përmbyllur të premten me tubime të mëdha njerëzish, në kundërshtim me masat anti-COVID. Për këto grumbullime të njerëzve, Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë u ka shqiptuar gjoba partive politike e organizatorëve të tubimeve.
Të premten partitë politike kanë përmbyllur fushatën zgjedhore prej 5 ditësh për zgjedhjet lokale të raundit të dytë, që do të mbahen më 14 nëntor.
Ndryshe nga fushata njëmujore, partitë kësaj radhe kanë mbajtur tubime haptazi me prani të madhe njerëzish, e në kundërshtim me masat antiCOVID.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila udhëheq me Ekzekutivin, e që mes tjerash, ka synim edhe luftimin e pandemisë, ka qenë një ndër shkelëset më të mëdha të masave gjatë këtyre ditëve të fushatës.
Tubimet masive me qytetarë nga kjo parti bëheshin kryesisht atëherë kur në to merrte pjesë edhe lideri i partisë, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Të tilla tubime porsi LVV-ja ka mbajtur edhe Partia Demokratike e Kosovës, duke shkelur masat për mbrojtje dhe parandalim të koronavirusit.
Kjo parti të premten në mesditë lëshoi një njoftim për anëtarët e saj duke kërkuar respektimin e Ligjit për Zgjedhjet si dhe masat antiCOVID, por vetëm pak orë pas, shkeli fjalët që tha me një tubim përmbyllës në Malishevë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk dha shembull të mirë gjatë fushatës zgjedhore. Në Podujevë, kandidati për këtë komunë që është edhe doktor me profesion, mblodhi mijëra njerëz në sheshin e qytetit duke rrezikuar shëndetin qytetarëve.
Me tubime zgjedhore, masat i kanë shkelur edhe partitë e kandidatët e tjerë për kryetarë komunash.
Për të gjitha këto shkelje, Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, thotë se inspektorati ka shqiptuar një numër të konsiderueshëm të gjobave për subjektet politike.
“Ne gjatë gjithë kohës kemi qenë në terren duke inspektuar secilin veprim që bie ndesh me vendimin për masat anti-COVID në këtë rast kemi inspektuar edhe mbajtjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale dhe vetëm kësaj jave kemi pasur 126 gjoba të shqiptuara për personat juridikë, disa prej tyre që janë gjobitur janë partitë politike dhe personat përgjegjës që kanë bërë organizimin”, ka thënë ai.
Nesër prej orës 07:00 të mëngjesit fillon heshtja zgjedhore dhe zgjat 24 orë.