Ndonëse subjektet politike tubimet me qytetarë i kanë nisur qysh më herët, zyrtarisht fushata zgjedhor ka filluar këtë të mërkurë. Për 10 ditë subjektet politike kanë kohë që të prezantojnë ofertat e kandidatët e tyre me të cilat synojnë që të fitojnë zgjedhjet e 14 shkurtit.
Si asnjëherë më parë, fushata zgjedhore këtë vit do të mbahet gjatë kohës kur vendi është duke u përballur me pandeminë.
Por, me gjithë numrin e lartë të të infektuarve, e konfirmimit të variantit të ri të koronavirusit, subjektet politike janë duke vazhduar të shkelin masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.
Sipas vendimit të Ekzekutivit, “në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme lejohet grumbullimi deri në 50 persona, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim”.
Megjithëkëtë, qysh në ditën e parë të fushatës zgjedhore subjektet politike kanë mbajtur tubime në hapësira të mbyllura e të hapura duke mos përfillur masat e vendosura.
Fushatën zyrtare Lëvizja Vetëvendosje e hapi në Pejë. Në sheshin e këtij qyteti, në kundërshtim me masat e vendosura, u mblodhën qindra qytetarë.
Numër shumë më të madh të njerëzve sesa që është e lejuar në ambient të hapur, pa mbajtur distancë fizike e maska, i mblodhi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren. Qindra qytetarë, brenda një lokali dasmash, mblodhi edhe Nisma Socialdemokrate.
Masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit nuk i përfillën as Lidhja Demokratike e Kosovës e as Partia Demokratike.
Gjobitjen e të gjithë personave që nuk i respektojnë masat për parandalimin e koronavirusit e ka paralajmëruar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Në një përgjigje me shkrim nga kjo agjenci kanë bërë të ditur se kanë vënë në dispozicion rreth 100 inspektorë, të cilët do të merren me mbikëqyrjen e zbatimit të masave e gjobitjen e shkelësve të tyre.
“AUV në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka hartuar planet operative të kontrollit për mbikëqyrjen e zbatimit të masave në fushatë dhe ditën e zgjedhjeve. Grupet inspektuese koordinohen me Policinë e Kosovës nëpër të gjitha regjionet. Rreth 90 inspektorë janë të angazhuar vetëm në mbikëqyrjen e zbatimit të masave anti-Covid, të cilët do të mbështeten nga 14 inspektorë sanitarë të AUV-it dhe inspektorate të tjera të nivelit qendror dhe lokal, të cilat bazuar në Ligjin anti-Covid kanë mandat për mbikëqyrjen e masave anti-Covid dhe të drejtën e shqiptimit të masave ndëshkimore ndaj shkelësve. Gjatë viti 2020 janë shqiptuar 2056 gjoba për subjektet juridike dhe vetëm në 3-javorin e parë të 2021-tës janë shqiptuar rreth 200 të tilla. Në mesin e këtyre gjobave ka të shqiptuara për organizime të ndryshme ose tejkalim të numrit të lejuar në hapësirat e mbyllura. Bëjmë apel për zbatimin e masave anti-Covid që ta ruajmë shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
Me nisjen e fushatës zyrtare aktivitetet e subjekteve politike do të mund t’i përcillni të përmbledhura në kronikën zgjedhore. Këtë kronikë do të mund ta ndiqni çdo ditë në KTV dhe TV Arta.