Partitë boshnjake kanë iniciuar një peticion, për të cilin u duhen 10.000 nënshkrime për t’u shqyrtuar nga Kuvendi. Ndërkohë, sipas Institutit GAP, kërkesat për komuna të reja deri më tash nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore dhe ato që janë krijuar së fundi, nuk kanë dëshmuar mjaftueshëm vetëqëndrueshmëri ekonomike
Partitë boshnjake kanë kthyer kërkesën e vjetër për themelimin e komunës së Reçanit, ku do të përfshiheshin mbi 10 fshatra të Prizrenit, e ku shumica e popullsisë do të përbëhej nga ky komunitet.
Peticionit të “Nasa Iniciativa” (Iniciativa jonë) i janë bashkuar SDU-ja e Duda Baljes, Vakati i Rasim Demirit dhe ish-kryetarja e iniciativës UZ-AH, që aktualisht është nënkryetare e Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq. Argumenti i tyre është se boshnjakët janë komuniteti pakicë i dytë më i madh, pas serbëve.
Insistojnë se komuna do të kishte qëndrueshmëri financiare, megjithëse ato të vogla të krijuara para pak vjetësh, kanë dëshmuar të kundërtën.
Instituti GAP ndërkohë, numëron shumë arsye pse nuk duhet të ketë komuna të reja.
Deputetja e Kuvendit dhe kryetarja e SDU-së, Duda Balje, ka përmendur diasporën, sipas saj, të fuqishme dhe potencialin për zhvillim të turizmit, si arsye për komunë të Reçanit.
“Unë jam edhe anëtare e Komisionit për Buxhet e Financa dhe shumë mirë e di se çfarë problemesh kanë komunat e vogla, por besoni se komuna e Reçanit është në një pjesë e Kosovës, e cila është e begatshme me natyrë dhe e kemi zhvilluar veten shumë mirë. Kemi diasporë shumë të fuqishme. Mendojmë, në fakt, jemi shumë të sigurt, kemi anë shumë pozitive dhe jemi shumë të fuqishëm për ta mbajtur një komunë”, ka thënë Balje.
Kryetari i Vakatit, Rasim Demiri, ka thënë se subjekti i tij politik nuk e ka mbledhur këshillin për të vendosur prerazi për këtë temë. Sidoqoftë, Demiri tha se në parim e mbështet themelimin e komunës së Reçanit.
Në të kaluarën, sipas tij, zyrtarë të MAPL-së i kanë thënë se kushtet formale për këtë janë plotësuar.
“Kemi kërkuar para 10 vjetësh, kur e kemi bërë fizibilitetin dhe kërkesën për komunën e re. Sipas atyre që e kanë bërë fizibilitetin, Reçani i plotëson krejt kushtet për të qenë komunë. Ndoshta më mirë, e më shumë ka kushte për komunën e Reçanit se për krejt kërkesat e tjera, për të cilat unë nuk jam kundër. Pse të mos e ketë edhe Zhegra komunën e vet, edhe Hasi”, është shprehur Demiri.
Nga Mitrovica e Veriut, ku është nënkryetare, Adrijana Hoxhiqka, ka shkuar në rajonin e Prizrenit për ta nënshkruar peticionin. Themelimi i një komune të re, sipas saj, do të mundësonte faktorizimin politik të komunitetit boshnjak, përfshirjen më të madhe në sferën politike, por edhe parandalim të asimilimit.
“Arsyeja kryesore është fakti që komuniteti boshnjak nuk është i përfshirë as në nivelin lokal e as në nivelin qendror. Nuk marrin pjesë në vendimmarrje dhe besoj që bash për këtë arsye në Kosovë, fatkeqësisht komuniteti boshnjak po asimilohet. Thjesht komuniteti boshnjak po zhduket”, ka thënë Hoxhiqi.
Në total, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Zhupë janë rreth 10 mijë banorë nëse llogariten edhe banorët shqiptarë, serbë e turq. Sipas “Nasa iniciativa”, që e ka nisur peticionin, synohet mbledhja e 5.000 nënshkrimeve në mënyrë që Qeveria të obligohet ta negociojë themelimin e një komune të re.
“Nevoja për komunë rrjedh prej nenit 12 të Ligjit për Kufijtë Administrativë që e definon procesin e krijimit të komunave në një lokalitet me komunitet joshumicë”, thuhet në përgjigjen e “Nasa Iniciativa”. Në nenin që është referuar, thuhet se Qeveria hyn “në konsultime me komunitetet joshumicë, në rastet kur ky komunitet përbën së paku 75% të popullsisë në një vendbanim të përqendruar në zona kadastrale të bashkëlidhura me popullsi të gjithmbarshme prej së paku 5000 qytetarësh, me qëllim të krijimit të komunave të reja”.
GAP-i e quan të panevojshme krijimin e komunave të reja
E zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, e ka quajtur reklamë politike për subjekte politike këtë iniciativë. Sipas saj, në Kosovë peticionet janë dëshmuar si të paefektshme. Sidoqoftë, edhe Rexhepi ka thënë se po punon për formimin e kësaj komune.
“Do ta zgjidhim në mënyrë institucionale hap pas hapi me ndihmën e Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal. Duhet ta kemi edhe mbështetjen e madhe të Qeverisë dhe për këtë jam unë si zëvendëskryeministre, që e kam përgjegjësi e obligim që të jem e sinqertë në këtë proces dhe ta bëj maksimumin që ta bëjmë këtë me kryeministrin. Por, pastaj shkon në Parlament, e dini që na duhen dy të tretat apo mbi 80 deputetë”, ka thënë ajo.
Por themelimi i komunave të reja nuk shihet i arsyeshëm nga Instituti GAP. Sipas hulumtuesit të lartë të këtij instituti, Bekim Salihu, kërkesat e deritanishme për komuna nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore.
“Praktika tregon që komunat në Kosovë në përgjithësi kanë problem me vjeljen e të hyrave vetjake. Pra edhe komunat e mëdha, siç janë Prishtina, Prizreni e kështu me radhë, shihet që kanë pamundësi shpeshherë për t’i vjelë të hyrat vetjake, e lëre më komunat e vogla. Krijimi i komunave të reja do të jetë barrë edhe për komunat ekzistuese, por ato do të shndërrohen edhe në një barrë për buxhetin e nivelit qendror. Nëse krijohet një komunë e re, pastaj granti i përgjithshëm, nuk ndahet më për 38 komuna, por ndahet ta zëmë për 40 komuna”, ka thënë Salihu.
Në bazë të programit qeveritar, sipas tij, Qeveria nuk synon themelimin e komunave të reja, por fuqizimin e atyre ekzistuese.
Sipas burimeve të KOHËS, deri më tani për këtë peticion e kanë nënshkruar deri në 2000 veta. MAPL-ja ka thënë se ka 19 kërkesa për themelim të komunave të reja, disa prej të cilave janë Zhegra e Gjilanit, Vitomirica e Pejës, Orllani i Podujevës, Runiku i Skenderajt, Zymi i Prizrenit dhe Krusha e Madhe e Rahovecit.
Akuza e kundërakuza mes partive boshnjake
Subjekti Vakat që është aktiv, e UZ-AH-u që tash është shuar formalisht, në zgjedhjet e shkurtit kanë marrë vota nga komunat që nuk kanë boshnjakë, por që janë me shumicë serbe. Në atë kohë, për KOHËN Demiri pati thënë se s’e di se prej ku kanë ardhur ato vota, derisa Hoxhiq ishte shprehur se ka punuar me të gjitha komunitetet në organizata jo-qeveritare dhe po i shpërblehet mirënjohja me votë edhe nga qytetarët e komunitetit serb.
Kryetarja e NDS-së, zëvendëskryeminstrja Rexhepi, ka shprehur dyshime se partitë e tjera nga komuniteti i saj bashkëpunojnë me Serbinë. Madje sipas saj, kanë edhe tendencë që t’u bashkohen atyre serbe për formimin e Asociacionin e komunave serbe.
“Konsideroj se në këtë moment të gjithë disi janë mbledhur që kjo komunë jona e ardhshme mbase të jetë nën Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e të cilën gjë ne sigurisht se nuk do ta lejojmë. Konsideroj se boshnjakët janë para së gjithash kosovarë, se Kosova është shteti ynë dhe se në përputhje me rregullativat ligjore dhe në kuadër të institucioneve të Kosovës, do të luftojmë për këtë të drejtë tonën”, ka thënë Rexhepi.
E pyetur se cilat parti boshnjake sipas saj bashkëpunojnë me Serbinë, u është referuar atyre që morën vota në komunat ku jetojnë serbët.
“E keni parë në zgjedhjet e fundit se si Serbia, nëpërmjet Listës Serbe dhe nëpërmjet satelitëve tanë, pra të boshnjakëve këtu, ka fituar vota dhe ajo nuk do të heqë dorë nga këto synime. Sigurisht se edhe në zgjedhjet e ardhshme do të ndodhë njëjtë, sepse e kanë fuqinë. I presim institucionet tona, e presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese se si ato do të ndërmarrin hapa për këtë çështje. E presim edhe mendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor rreth keqpërdorimit të këtyre votave, ngase atëherë nuk do të duhej që të luftojmë për vendet e rezervuara apo të garantuara për komunitete, por të gjithë do të shkojmë në parti shqiptare apo serbe dhe në atë mënyrë ose do të jemi të asimiluar ose do të punojmë në interes të ndonjë komuniteti tjetër”, ka thënë Rexhepi.
Deputetja Balje i ka mohuar akuzat dhe e ka akuzuar zëvendëskryeministren se po bën politikë me prioritetin kryesor të komunitetit boshnjak.
“Tash ne ta përziejmë (formimin e komunës së Reçanit v.j.) me Asociacionin e komunave serbe... është shumë larg. Ta përziesh asociacionin i cili është në tavolinë, larg jemi ne. As dëshirë nuk kemi as nuk kemi menduar në këtë drejtim. T’i përziesh votat e nivelit qendror me formimin e komunës është diçka tjetër, sepse votat janë diçka personale. Unë luftoj për partinë time, Emilija lufton për partinë NDS e Vakati për veten. Është shumë keq të bësh politikë me prioritetin e boshnjakëve”, ka thënë Balje. Për Rexhepin ka thënë se duhet të shprehet publikisht nëse nuk e mbështet formimin e komunës.
Kundërakuza ka pasur edhe kryetari i Vakatit, Rasim Demiri. Ai ka thënë se Rexhepi do që ta heqë përgjegjësinë nga vetja lidhur me formimin e komunës së re.
“Kjo është përgjegjësia e saj sepse ajo është e para që duhet ta iniciojë këtë proces, sepse është në Qeveri, sepse është zëvendëskryeministre dhe ajo ka përgjegjësinë më të madhe. Pasi dëshiron ta heqë përgjegjësinë nga vetja, është kundër kësaj iniciative. Jemi kundër deklaratave të Emilijas që peticioni ka lidhje (me Serbinë e Asociacionin e komunave serbe v.j.)”, ka thënë Demiri.
Dyshimet e Rexhepit, nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut Adrijana Hoxhiq, i ka quajtur të pabaza.
“Janë gënjeshtra të kulluara me qëllime të caktuara. Nëse i analizoni disa deklarata të saj të bëra përpara disa javësh, ajo thotë që është i nevojshëm themelimi i komunave me shumicë të komunitetit boshnjak. Por më duket se kjo ide është e pranueshme për të vetëm në qoftë se e implementon znj. Rexhepi. Në qoftë se dikush tjetër flet për këtë çështje na qenka e papranueshme dhe kundër Qeverisë së Kosovës. Është me të vërtetë një budallallëk dhe një person në një pozitë aq të rëndësishme, nuk duhet t’ia lejojë vetes të dalë aq e papërgatitur para opinionit të Kosovës”, ka thënë Hoxhiq.
Ajo ka shtuar se e ka shuar iniciativën qytetare që e themeloi në prag të zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021, ku ishte afër të bëhej deputete, por disa vota të siguruara në komunat serbe e ku nuk ka boshnjakë, iu anuluan.
“Ndoshta do të ishte një informatë për krejt opinionin. Iniciativa ‘Komuniteti i Bashkuar’ nuk ekziston më dhe unë nuk e kam në plan që të marr pjesë në zgjedhje në të ardhmen. Rexhepi nuk ka nevojë të frikësohet nga Adrijana Hoxhiq dhe Komuniteti i Bashkuar”, ka thënë ajo.