Duke u nisur nga vlerësimi i disa ekspertëve mësimorë dhe recensentëve të ndryshëm se ka parregullsi të shumta në tekstet e reja shkollore, Komisioni për Arsim pritet ta ftojë në raportim ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Ata po ashtu, do të kërkojnë nga Bytyqi raport të detajuar për komplet procesin e hartimit të teksteve të reja shkollore.
Në këtë mbledhje, gjithashtu u diskutua për vizitën e anëtarëve të këtij komisioni dhe atij për Qeverisje Lokale, në Luginën e Preshevës.
Prej aty, kanë nxjerrë konkluzionin se fëmijët nuk i kanë as 90 përqind të teksteve të duhura shkollore dhe cilësia e arsimit nuk është e mirë.
Anëtarët e Komisionit për Arsim u dakorduan që të kenë një takim të përbashkët mes komisioneve dhe prej aty, të vendosin për një seancë parlamentare, ku do të diskutohej kjo çështje, ose të thërrasin disa ministra për t’u kërkuar që t’u gjendet një zgjidhje shqiptarëve atje, sidomos për çështjen e dokumentacionit.
Gjithashtu, u bë e ditur se Koordinatori Nacional për Kulturë e Arsim, Rexhep Hoti, nuk ia ka dhënë Komisionit emrat e ekspertëve të “Testit të Diturisë”, gjë që iu kërkua kur raportoi para tyre.