Arbëri

Parashihen 45 mijë euro për blerjen e veturës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama

Megjithëse vetura “Peugeot” me të cilën udhëtonte ish-kryetari, Shpend Ahmeti, qëndron në oborrin e Komunës së Prishtinës, kryetari Përparim Rama zgjodhi që për punët e tij zyrtare ta përdorë veturën e tij personale, të cilën e ka deklaruar edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Veturën e tipit “BMW X5”, kryetari Rama po e përdor që nga fillimi i mandatit të tij.

Por kjo, jo edhe për një kohë të gjatë.

Tashmë Komuna e Prishtinës ka ndarë buxhetin për blerjen e një veture për kryetarin e Prishtinës.

Gjithsej 45 mijë euro për blerjen e një veture të re për udhëtimet e kryetarit Përparim Rama.

Në një përgjigje për KOHËN, Komuna e Prishtinës thotë se vetura do të blihet sipas standardeve që plotësojnë kriterin e sigurisë për kryetarin e kryeqytetit.

“Për blerjen e veturës për kryetarin e kryeqytetit janë ndarë 45.000 euro në vitin 2023. Vetura do të blihet sipas standardeve që plotësojnë kriterin e sigurisë për një kryetar të kryeqytetit apo komunës”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Ish-kryetari, Shpend Ahmeti, me ardhjen e tij në pushtet, përmes një ankandi kishte shitur “Q7-shin” e ish-kryetarit Isa Mustafa.

Ai më pas përdori veturën që posedonte Komuna. Kjo e fundit, që është dhuratë nga UNMIK-u, duket se nuk po i përshtatet kryetarit të ri.

“Vetura është dhuratë /donacion nga UNMIK-u dhe aktualisht nuk kemi ndonjë plan për shitjen e këtij aseti”, thuhet shkurt në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Mjetet e ndara për blerjen e një veture të re për kryetarin e Prishtinës nuk po i arsyeton opozita.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Mirsad Vitia, thotë se komunarët po shfaqin luks të tepruar.

“Fatkeqësisht Komuna e Prishtinës po ballafaqohet me një luks të tepruar, ku kryetari përveç premtimeve të mëdha është fokusuar për luksin e tij. Për nevojat e kabinetit të kryetarit ka ndarë 200 mijë euro. Qiraja për vetura 250 mijë euro, blerja e veturës 45 mijë euro, këto shpenzime kapin rreth 900 mijë euro në total. Prioritet është luksi dhe jo zgjidhja e problemeve që ka Prishtina”, tha Vitia.

Sipas tij, buxheti duhet të fokusohet për përmbushjen e premtimeve.

Mbi 105 milionë euro është shuma e buxhetit të Prishtinës për vitin 2023 e që llogaritet të jetë më i larti deri më tani.