Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, konfirmoi aderimin e deputetes Albena Reshitaj. Ajo ka shkruar në Facebook se Reshitaj është grua e fortë, me profesionalizëm të dëshmuar.
Gërvalla shtoi se angazhimi i deputetes “ka qenë gjurmë, si në politikë ashtu edhe në shoqëri”.
“Një grua e fortë, me profesionalizëm të dëshmuar, i bashkohet Partisë Guxo. E rritur në një familje që mishëron vlerat patriotike dhe përkushtimin profesional, prof. Dr. Albena Reshitaj ka dëshmuar vendosmëri dhe lidership në kohët kur Kosovës i nevojiteshin më shumë se kurrë stabiliteti dhe reformat. Angazhimi i saj i guximshëm ka lënë gjurmë, si në politikë ashtu edhe në shoqëri, duke i kthyer profesionalizmin dhe integritetin në shtylla të veprimtarisë së saj. Së bashku do të punojmë me guxim e vendosmëri për një Republikë të fortë e të zhvilluar të Kosovës”, ka thënë Gërvalla.
Reshitaj ka shkruar në Facebook se i është bashkuar partisë “Guxo” për të mirën e Kosovës.
“Sot, me përkushtim dhe e vendosur për të vazhduar kontributin tim për vendin, ju njoftoj se po i bashkohem Partisë Guxo për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Së bashku, do ta forcojmë Republikën e Kosovës dhe do të dëshmojmë se guximi ynë është forca që ndryshon historinë! Nuk ka kthim prapa për Kosovën tonë që e duam. Bashkë për drejtësi, barazi, zhvillim e dinjitet. Faleminderit për pritjen e ngrohtë Kryetare Donika Gërvalla. Na priftë e mbara”, ka thënë ajo.
Paralajmërohet ndërrim i partive për Reshitajn, e mirëpresin në “Guxo”
Deputetja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj pritet të ndërrojë partinë, e sipas të gjitha gjasave do t’i bashkohet Listës “Guxo”.
Reshitaj tha të enjten në Kuvend se “ka guxuar të luftojë padrejtësinë dhe guximin do ta vazhdojë”.
Përafrimin me subjektin “Guxo”, e bëri të ditur zyrtari i kësaj partie, Haxhi Avdyli.
Ai i ka thënë KOHËS se e mirëpresin Reshitajn, derisa shtoi se e ardhmja politike e saj “do të konfirmohet natyrshëm së shpejti”.
“Deputetja Albena Reshitaj në vazhdimësi ka qenë konstruktive si deputete duke guxuar për të pasur mendim të saj autentik politik. Do jetë nder për Partinë ‘Guxo’ dhe nder për grupin parlamentar përafrimi i saj e cila natyrshëm edhe i përket. Besoj që shpejt do konfirmohet nga vetë deputetja rruga e saj e ardhshme politike. Por mendoj që politikës kosovare i duhen më shumë personalitete si ajo, dhe ardhjen e saj e mirëpresim”, është shprehur ai.
Reshitaj ka përmendur para deputetëve “guximin” e 2021-s kur votoi pro Vjosa Osmanit si presidente.
KOHA ka tentuar ta konfirmojë këtë nga deputetja, por ajo ka qenë e paqasshme deri në momentin e raportimit.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, sot guximi im vazhdon të jetë i qëndrueshëm ashtu siç u kam qëndruar besnike parimeve të lirisë, demokracisë, përfaqësimi të drejtë si deputete e zgjedhur, e përfaqësuar për popullin, ku në vitin 2021 guxova të mbështes zgjedhjen e presidentes së Kosovës”, ka thënë ajo gjatë fjalimit në Kuvend.
Reshitaj ka qenë ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
Ajo ka qenë edhe pjesë e Aleancës Kosova e Re (AKR).