Me pasoja afatgjata do të përballet Kosova nëse kryeministri Albin Kurti nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për ta depërshkallëzuar situatën në veri, paralajmëroi emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Sipas tij, përgjigjja e kryeministrit nuk do të pritet më shumë se deri të mërkurën dhe në rast se ajo është negative, do të konstatohet se Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në e BE-në.
Emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak i kanë dhënë ultimatum kryeministrit Albin Kurti që më së largu deri të mërkurën duhet të japë përgjigje nëse e pranon zgjidhjen e propozuar nga SHBA-ja dhe BE-ja për depërshkallëzimin e situatës në veri.
Një numër veprimesh të prezantuara në propozimin që kryeministrit i është paraqitur një ditë më parë, synojnë shtensionimin e situatës, organizimin e zgjedhjeve të shpejta në katër komunat në veri, si dhe rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në dialog.
Në një takim që emisari i SHBA-së e ka realizuar me një numër të kufizuar të përfaqësuesve të mediave, e ka bërë të ditur ultimatumin dhe ka theksuar se mospranimi i propozimit pasohet me pasoja ndaj Kosovës, meqë, sipas tij, kjo do të nënkuptojë se kryeministri Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në e BE-në.
Escobar është cituar të ketë thënë në takim se raportet e SHBA-së me kryeministrin Kurti kanë sfida, por se ato janë të pandryshuara mes dy popujve.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar. Shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin nuk do të prekin këtë sentiment”, tha Escobar.
Edhe
Sot përfundon afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën, paralajmërohen pasoja
Në kuadër të angazhimit të bashkërenduar të SHBA-së me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar në veri, të martën emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.
Presidenca njoftoi se, në këtë takim Osmani është shprehur se mund të shpallen zgjedhjet e reja në veri.
“Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore, dhe në këtë kontekst ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, u tha nga Presidenca.
Emisarët dhanë mesazhe të hënën mbrëma, pas takimit me kryeministrin Kurti, kur listuan veprimet që duhen ndërmarrë palët.
“I pari është depërshkallëzimi i situatës në terren, i dyti, zgjedhje të shpejta, të reja në veri dhe i treti kthimi në dialog në proces normalizimi”, tha Lajçak.
Edhe
Escobar: Takimi Kurti - Vuçiq nuk pritet të ndodhë këtë javë
“Nuk kam parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik tjetër i Kosovës ka bërë të njëjtën kërkesë identike, kështu që shpresoj se kërkesa jonë do të dëgjohet”, tha Escobar.
Pas Kosovës, Escobar e Lajçak do të qëndrojnë edhe në Serbi, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës në veri.