Arbëri

Mërgimtarët të shqetësuar nga ngërçi politik e nga provokimet gjatë kalimit nëpër Serbi

Ngërçi politik e moskonsituimi i Kuvendit po i shqetëson edhe mërgimtarët. Ata i akuzojnë partitë politike, duke thënë se interesat personale po i qesin para atyre shtetërore. E, sipas policisë, edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme për të mos kaluar nëpër Serbi, këtë vit numri i atyre që kanë hyrë në Kosovë nga dy pikat kryesore kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë ka qenë dukshëm më i madh.

Zhgënjim të madh kanë shprehur mërgimtaret për moskonstituimin e Kuvendit.

Burim Sylejmani i cili po kthehej pas pushimeve në Kosovë vlerëson se Kuvendi është shndërruar në një cirk.

“Kuvendi tashmë po na mungojnë humoristat, tash na u kanë ba boll, u ba hajgare, e kanë ba rrafsh për veti. Na jemi mirë kështu – presim, kënaqemi, s’kemi çka tjetër”, ka thënë Sylejmani.

E Jeton Hoti i ka kritikuar përfaqësuesit e partive politike, duke thënë se ata në rend të parë i kanë interesat personale.

“Sa i përket Kuvendit, po shihet se qysh po shkon vendi – veç me interesa të veta. Për popull nuk mendon kush. Normal që pëson populli. Ata rrogat i kanë, ata që sa herë janë tu shku me zgjedh një Kryeparlamentar, e s’ka kurgjo. Këtu s’ka asnjëherë mirë”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa Fahri Shala ka thënë se ngërçi ka ndikuar edhe në vendimin e mërgimtarëve për të ardhur në Kosovë.

“Është t’u bërë keq dita-ditës. Edhe mërgimtarët janë tu u tërheq. Situata është shumë e keqe ku të hish, mashtrime, vjedhje, gjithçka. Jena lodh për besë”, ka thënë Shala.

Lidhur me thirrjet që i kanë bërë institucionet e Kosovës për të mos kaluar nëpër Serbi, Shala ka thënë se e di që nuk është shumë e sigurt, por shtoi se zgjidhje tjetër nuk kanë.

“Me kqyr rrugë tjera, e qesin kolona të mëdha. Knej rrezik për Serbi po, por çka me ba. Qëllimi i serbëve dhe hungarezëve është me na pengu. Në Hungari, kur mbërrijmë, na qesin barrikadë e thojnë: ‘Tash jemi në pauzë’. Na ka ndodhë me prit 9 orë”, ka thënë tutje Shala.

Të dhënat nga Policia e Kosovës tregojnë se pikat kufitare më të frekuentuara për vitin 2025 kanë qenë Merdari dhe Dheu i bardhë.

Sipas të dhënave që Policia e Kosovës ia ka dërguar KOHËS, nga 1 qershori deri më 25 gusht, në pikëkalimin kufitar në Merdarë gjatë vitit 2025 kanë hyrë 381,878 persona, krahasuar me 355,877 sa kishin hyrë në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

 Sipas të dhënave të policisë, edhe në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë është shënuar rritje e personave që kanë hyrë në vend nga kjo pikë, krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas tyre, 320,594 hyrje dhe 301,397 dalje ishin në vitin 2025, krahasuar me 283,358 hyrje dhe 261,181 dalje në vitin 2024.