Arbëri

Paqe në Parkun e Paqes

Foto: Koha

Paqe kanë gjetur qytetarët e Komunës së Podujevës në Parkun e Paqes ditën e premte. Ata nuk i ka ndalur as virusi COVID-19, që në këto ditë të nxehta të shëtisin, vrapojnë e të luajnë në këtë park, që më parë quhej parku “Te pishat”. Nuk u janë bindur as thirrjeve të institucioneve të vendit që të qëndrojnë në shtëpi, pas paraqitjes së rasteve me koronavirus edhe në Kosovë.

Frekuentuesit e këtij parku në periferi të qytetit thonë se nuk mund të qëndrojnë mbyllur. Disa prej tyre kanë thënë se këtu kanë dalë gjithnjë, edhe kur nuk kishte koronavirus në Kosovë. Por, frekuentimin nuk e kanë ndalur as tash, kur tre persona nga kjo komunë janë infektuar me COVID-19. Ndërkohë, ka të tjerë që nuk kanë dalë më parë në këtë park, por këtë po e bëjnë tash kur kafenetë janë mbyllur, shkruan sot KOHA.

Afrim Gashi është njëri prej tyre. Ai ishte ndër të paktët që mbante maskë mbrojtëse. Thotë se nuk i rrihej veç brenda në shtëpi.

“Dje jam dalë pak, edhe sot. Edhe veç brenda s’po rrihet. Dola pak, edhe dita e mirë. Po munohemi me u ruajt sa po mujmë. Tash grupacione s’po bahemi. Normal frika pak, po veç mrena nuk po rrihet. Tash po dalim vetëm e po ruhemi sa po mundemi”, thotë ky i moshuar.

Ndërsa, Mursel Islami kishte zgjedhur një ulëse brenda parkut ku po qëndronte i vetëm në rreze të diellit. Ai nuk kishte mjete mbrojtëse kundër virusit COVID-19, por thotë se nuk frikësohet pasi nuk ka kontakte me njerëz tjerë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.