Arbëri

Pantina: Qeveria ta mbështesë gjyqësorin në vend se ta luftojë

Shqipe Pantina nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka një luftë serioze kundër korrupsionit. Sipas saj, edhe pse ka lëvizje, nuk po punohet shumë në parandalimin e tij.

E ftuar të mërkurën në emisionin “60 Minuta” në KTV, Pantina ka thënë se Qeveria duhet ta mbështesë më shumë gjyqësorin në vend se ta luftojë atë.

“Nuk kemi një ndalesë të ashtuquajturës gjakderdhje financiare. Nuk kemi një seriozitet në luftën kundër korrupsionit, ose më mirë të themi në parandalimin e saj. Ka lëvizje, por megjithatë jo në nivelin që është proklamuar dhe është premtuar sidomos para zgjedhjeve dhe jo ashtu siç do të donim ta shihnim ne. Së fundmi kemi pasur disa arrestime, kemi rastin ‘Brezovica’ pak më herët, tani edhe rastin e kryeshefit të KEK-ut, por ajo që do t’i bindte njerëzit se po luftohet korrupsioni është se çfarë epilogu marrin këto ngjarje. Qeveria duhet ta mbështesë më shumë gjyqësorin në vend se ta luftojë atë në mënyrën që po e lufton”, është shprehur ajo.

Sipas saj, Qeveria do të duhej ta ndryshonte Ligjin e Prokurimit, po ta kishte seriozisht luftën kundër korrupsionit.

Derisa është deklaruar rreth diskutimeve në Kuvendin e Kosovës, ku së fundmi të mërkurën është mbajtur seanca e jashtëzakonshme plenare e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar mbi arrestimin e kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ajo ka thënë se kualiteti i anëtarëve të Kuvendit nuk po shkon duke u rritur, por vetëm duke rënë.

“Kosova shumë shpejt do të mbetet një vend ku do të mbesin më pak se një milion dhe nuk di pastaj se a do të ketë hapësirë për të diskutuar për zhvillim ekonomik e kështu me radhë, të cilat do të duhej të dominon në Kuvend. Aq poshtë ka rënë niveli i diskutimit, e pamë edhe sot që flitet për pica, për çështje personale, deputetët përfaqësojnë dikë atje dhe duhet të flasin për çështje dhe jo për vete. Ajo që dëgjonim sot nga deputetët sidomos prej atyre të LVV-së dhe PDK-së, e ka një ngjashmëri tejet të madhe midis këtyre dy subjekteve, është se njëra akuzonte se ju keni vjedhur dje, e tjetra akuzonte se po vidhet sot. Asnjëra palë nuk e mohonte dhe mendoj se të dy palët kanë të drejtë sepse janë të përfshira në afera korruptive. Shqetësuese është se Kuvendi është shndërruar në një gjykatore”, ka thënë Pantina.

Anëtarja e LDK-së është deklaruar edhe për bisedimet Kosovë-Serbi, që pritet të vazhdojnë ndërmjet nivelit të lartë më 2 maj në Bruksel, për çka tha se në këtë takim kryeministri Albin Kurti duhet ta bëjë të qartë që obligimet të cilat i ka marrë, duhet t’i zbatojë.

“Serbia dhe Vuçiqi po bëjnë atë që e kanë bërë çdoherë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i vëmendshëm që në këtë rast edhe ta ndëshkojë Serbinë. Ajo që më shqetëson mua është qëndrimi ynë si Kosovë. Nuk duhet ta marrim si pikë reference Serbinë. Duhet të tregojmë vullnetin tonë për t’i respektuar ato që i kemi nënshkruar. Këtu jam e shqetësuar me sjelljet e Kurtit, të cilat janë jostabile. Nganjëherë kundërshton shumë dhe brenda një kohe të shkurtër kthehet dhe e pranon atë që e ka kundërshtuar skajshmërisht. Dhe në anën tjetër edhe pasi pranon të dakordohet për diçka, sërish thotë se nuk do ta zbatojë atë. Kjo në sy të komunitetit ndërkombëtar, Kosovën e bën të duket si shtet joserioz. Dua të besoj që në takimin e 2 majit, t’i bëhet e qartë që obligimet që i ka marrë, t’i zbatojë nëse dëshiron ta dëshmojë se jemi shtet serioz”, ka theksuar ajo.

Pjesa veriore çdo herë e më shumë po shkon drejt ndarjes. A do të ndodhë kjo nuk e di, por institucionet tona çdo herë e më shumë po e humbin kontrollin në këtë zonë të vendit.