Arbëri

Palokaj: Palët u pajtuan me propozimin evropian, jo me planin e zbatimit

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se Kosova e Serbia janë pajtuar me tekstin e propozimit evropian, por ajo që nuk është arritur të hënën është pajtimi për planin e zbatimit e marrëveshjes.

Ai ka thënë të martën në SOT të KTV-së se në Bruksel u arrit ajo që është pritur, por që për zbatimin e plotë të marrëveshjes nevojitet aneksi.

“Ajo që nuk është arritur është pajtimi për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Duhet të jetë pjesë përbërëse e marrëveshjes. Kurti tha se ka qenë i gatshëm për nënshkrim, por jo edhe Vuçiqi. Tash palët të pajtohen edhe për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje me pika të qarta dhe afate kohore. Kur të arrihet kjo, mund të ndodhë edhe nënshkrimi dhe zbatimi”, ka thënë Palokaj.

Sipas korrespodentit të KOHËS, takimi ishte më konstruktivi që ndonjëherë ka pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“BE-ja thotë se është e kënaqur nga kjo që ka ndodhur mbrëmë mes dy liderëve. Marrëveshja është dokument politik por mjaft i qartë. Shihet qartë se palët marrin obligimin për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura në të kaluarën pasi ato mbesin obligative për palët. Palët thonë se do të zbatojnë aneksin e marrëveshjes, e si pako marrëveshja me aneks, të jetë edhe përfundimtare”, ka thënë ai.

Palokaj u shpreh se edhe opozita edhe ka të drejtë të kritikojë Qeverinë për marrëveshjen, por edhe Qeveria e tanishme mund ta kritikojë opozitën pasi siç ka deklaruar ai, në opozitë s’është asnjë parti që në të kaluarën s’ka qenë në pushtet.

“Qeveria ka të drejtë t’i kritikojë ata që kur ishin në pushtet e morën këtë si obligim (themelimin e Asociacionit v.j.). I tërë procesi i dialogut, i integrimit në organizata ndërkombëtare, do të ishte mirë të ketë unitet mes partive politike në Kosovë. Kosova është shteti me dinamikën më të mirë politike. Është pra një shtet mjaft pluralist ku emancipimi politik është në nivelin më të lartë se në vendet e rajonit”, ka theksuar ai.