Arbëri

Palokaj: Deri të enjten Kurti e Vuçiqi duhet të përgjigjen rreth kërkesave të pesëshes ndërkombëtare

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se në Bashkimin Evropianë nuk janë shumë optimistë që së shpejti të zhvillohet një takim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, Palokaj ka thënë se bazuar në atë që është thënë, në këtë proces pritet të ndodhë diçka deri të enjten, pasi sipas tij, ky është afati që pesëshja ndërkombëtare që vizitoi Kosovën dhe Serbinë fundjavën që shkoj, u ka dhënë liderëve të të dyja vendeve që të përgjigjen rreth kërkesave që u kanë parashtruar.

“Në BE nuk janë edhe as shumë optimistë, por tërheqin vërejtjen se kësaj radhe Edhe Kosova e edhe Serbia kanë marrë disa afate të shkurtra se kur duhet të deklarohen dhe gjasat janë që nëse realizohen plani që kanë disa vende të Bashkimit Evropian, atëherë deri të enjten, do të thotë të enjten do të mund të vinin në Bruksel edhe kryeministri Albin Kurti e edhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pikërisht të enjten kur edhe zhvillohet Samiti i liderëve të BE-së”, është shprehur Palokaj.

Sipas tij e enjtja është vendosur si një datë kur do të duhej të ndodhte diçka në procesin e dialogut, por se deri më tani nuk ka një konfirmim formal rreth kësaj apo dërgim të ftesave për një takim.

“Por thonë se në takimet që kanë pasur me pesëshen të dy liderëve u është shprehur se i presin deri të enjten që të përgjigjen apo ndoshta edhe të vinë në Bruksel për t’u takuar”, ka theksuar Palokaj.

Emisarët euro-amerikanë të shtunën e javës që shkoj kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i dhënë dinamikë të re dialogut mes dy shteteve. Në takim me kryeministrin Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ata kanë prezantuar edhe një plan për të ecur përpara drejt normalizimit, por detajet e të cilit nuk janë shpalosur. Nga Prishtina, Lajçaku kërkoi veprime të shpejta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E Kurti tha se prioritet ka sigurinë, pas sulmit në Banjskë