Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: BE-ja e ka kuptuar se duhet t’i kthehet aneksit të Ohrit për ta shpëtuar marrëveshjen

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se të enjten në Bruksel, është planifikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron , kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

“Duket se do të jetë ndryshe kësaj radhe, flitet për takime. Gjithmonë jemi te planet e idetë që të ketë takime. Do të jetë hera e parë, sikur janë takuar emisarët e tyre, tash shefat e emisarëve që ishin javën e kaluar do të kenë takim me kryeministrin Kurti, e pastaj takim të ngjashëm edhe me Vuçiqin. Gjitha këto pritet të ndodhin në margjina të Samitit të BE-së që zhvillohet të enjten e të premten. BE-ja me këtë do të çojë porosinë se vërtetë e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme situatën në veri të Kosovës dhe procesin e normalizimit të raporteve”, ka thënë Palokaj në “Konfront” të KTV-së. “E kanë parë që dialogu ka ngecur aq shumë”.

Palokaj ka thënë se para takimit pritet që shtetet anëtare të njoftohen rreth detajeve. Ai ka thënë se nga BE-ja kanë treguar se është paraqitur një draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Quhet propozim modern evropian dhe pritet nga palët të veprojnë shpejtë, të pranohet drafti i bie. Nga Kosova pritet të gjejë rrugë për organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve. E nga Serbia pritet të zbatohen pa vonesa, pa kushte e pa rezerva të gjitha pikat e marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Palokaj. “Duket se edhe vetë BE-ja e ka kuptuar se duhet t’i kthehet aneksit të Ohrit nëse dëshiron ta shpëtojë marrëveshjen. Pasi palët ishin shumë larg me drafte të Asociacionit, duket se është dalë me një propozim ndërkombëtar”.

Palokaj ka thënë se nga burime të BE-së është njoftuar se Kosova ende nuk ka dërguar një raport final për hetimet për sulmin terrorist në Banjskë. Ai thotë se sipas burimit “Kosova ka dërguar një raport me konotacion politik, ku ata japin vlerësime”.

“Por, atyre u duhet një raport i organeve të policisë, gjykatave e prokurorëve, për të parë saktësisht se çfarë ka ndodhur”, tha Palokaj.