Korrespodenti i KOHËS, Augustin Palokaj ka thënë se nuk pritet të zgjasë shumë nesër procesi i shpalljes së aktgjykimit për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në një lidhje direkte nga Haga në emisionin “60 Minuta” në KTV, Palokaj ka thënë se pritet të lexohet vetëm përmbledhja e aktgjykimit, pasi ai botohet i plotë më vonë.
Korrespodenti i KOHËS ka shtuar se nëse shpallen të pafajshëm ata do të lirohen menjëherë, përveç Hashim Thaçit i cili ka edhe një rast tjetër të ndarë për pengim të drejtësisë.
“Nuk ka me saktësi ndonjë parashikim se sa do të zgjasë por pasi që pritet të lexohet vetëm përmbledhja e aktgjykimit, ndërkohë i gjithë aktgjykimi do të botohet në mënyrë të veçantë, nuk pritet të zgjasë shumë, gjithsesi gjatë ditës së nesërme do të përfundojë gjithçka. Nëse do të shpallen të pafajshëm ata do të lirohen menjëherë. Rast pak më i komplikuar është ai për Thaçin pasi ka një procedurë tjetër të ndarë për pengim të drejtësisë”, ka thënë Palokaj.
Palokaj ka dhënë detaje edhe për transmetimin e nesërm për të cilin ka thënë se do të jetë me 10 minuta vonesë, ndryshe prej seancave të tjera kur vonesat ishin deri në 45 minuta.
“Në Dhomat Specializuara sqarohet se nesër procesi do të nis në ora 10:00, transmetimi përmes internetit do të jetë me 10 minuta vonesë. Zakonisht është 45 minuta ose gjysmë ore por kësaj radhe është më i shkurtër për shkak se nuk ka ndonjë debat përpos leximit të përmbledhjes nga ana e gjykatësit”, ka thënë Palokaj.
Palokaj ka përshkruar edhe atmosferën në Hagë, një ditë para marrjes së vendimit për katërshen e UÇK-së. Ai ka thënë ka interesim të jashtëzakonshëm për ta përcjellë seancën porse në galeri nuk do të ketë vend për të gjithë.
“Ekziston një interesim i jashtëzakonshëm. Natyrisht i familjarëve, i bashkëluftëtarëve të tyre, i mediave. Nuk do të ketë vend për të gjithë në galeri. Ata që do të jenë në galeri nuk do të kenë mundësi nga galeria në 10 minuta ose më shpejtë që është transmetimi të dërgojnë mesazhe pasi nuk lejohen të përdoren telefonat e tyre aty”, ka thënë Palokaj.
Nesër, më 16 shtator, shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Në prag të verdiktit të Speciales ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ambasada e SHBA-së, ajo e Francës dhe Britanisë së Madhe u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që ndodhen në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë gjatë kësaj dite.