Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj e sheh si tejet të rëndësishëm “nonpaperin” për vizat

viza

Jashtëzakonisht të rëndësishëm e ka vlerësuar “nonpaperin” të dërguar nga Komisioni Evropian vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj.

Sipas tij, fryma pozitive e këtij “nonpaperi” se Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, do të diktojë frymë pozitive në diskutimet në Këshillin BE-së, që pritet të mbahet më 13 tetor, e që në rend dite e ka edhe çështjen e liberalizimit të vizave.

Në “Interaktiv” të KTV-së të premten, Palokaj ka thënë se “nonpaperi” është dërguar në këtë formë vetëm që të mos humbet kohë për të prodhuar raport të ri.

“Duke e pasur parasysh që për herë të parë, më 13 tetor, grupi punues në Këshill diskuton për Kosovën, ky dokument është shumë pozitiv dhe do të ndihmojë e diktojë frymën e diskutimeve të vendeve anëtare”, ka thënë Palokaj duke shtuar se pret që të neutralizohen edhe shqetësimet që mund t’i kenë disa vende anëtare.

Sipas tij, shumica e mjaftueshme për përkrahje për liberalizim tashmë ekziston brenda Këshillit. Ai është shprehur optimist se procesi sivjet do të shkojë pa pengesa dhe se pas shumë zhgënjimesh, Kosova do të marrë atë që e meriton. Palokaj ka thënë po ashtu se pret që deri në fund të vitit të miratohet vendimi për liberalizim vizash e që në “periudhë të shpejtë” të hyjë në fuqi.

Ai ka thënë se s’mund të ketë ndërlidhje të liberalizimit me dialogun me Serbinë.

Ekspertët e Komisionit Evropian ua kanë dërguar një dokument me konkluza vendeve anëtare të BE-së, në të cilën përmenden fushat në të cilat Kosova ka vazhduar të bëjë progres edhe pas vitit 2018 kur Komisioni kishte dhënë mendimin pozitiv dhe kishte rekomanduar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në territorin e BE-së. Ndër fushat ku Kosova ka arritur progres KE-ja përmend sundimin e ligjit, menaxhimin e kufirit dhe migracionit, riatdhesimin e azilkërkuesve të rremë, sigurinë e dokumenteve dhe të drejtat themelore të lidhura me lëvizjen e lirë.

 

Artikuj të ngjashëm