Ekspertët e Komisionit Evropian ua kanë dërguar një dokument me konkluza vendeve anëtare të BE-së, në të cilën përmenden fushat në të cilat Kosova ka vazhduar të bëjë progres edhe pas vitit 2018 kur Komisioni kishte dhënë mendimin pozitiv dhe kishte rekomanduar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në territorin e BE-së. Ndër fushat ku Kosova ka arritur progres KE-ja përmend sundimin e ligjit, menaxhimin e kufirit dhe migracionit, riatdhesimin e azilkërkuesve të rremë, sigurinë e dokumenteve dhe të drejtat themelore të lidhura me lëvizjen e lirë
Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimit të vizave dhe Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin e shprehur qysh në vitin 2018 kur ka rekomanduar heqjen e tyre edhe për Kosovën. Ky qëndrim u është përsëritur vendeve anëtare përmes një “non-paperi” që ua ka dërguar Komisioni Evropian e në të cilin ka pasur qasje edhe KOHA.
Ky dokument, siç shkruan në të, ka për qëllim t’i informojë vendet anëtare me situatën dhe nuk është raport formal, pasi Komisioni mendon se për një raport të tillë nuk ka nevojë.
Në raport Komisioni Evropian përmend fushat në të cilat Kosova ka vazhduar të bëj progres edhe pas vitit 2018 kur Komisioni kishte dhënë mendimin pozitiv dhe kishte rekomanduar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në territorin e BE-së.
Ndër fushat ku Kosova ka arritur progres Komisioni Evropian përmend sundimin e ligjit, menaxhimin e kufirit dhe migracionit, riatdhesimin e azilkërkuesve të rremë, sigurinë e dokumenteve dhe të drejtat themelore të lidhura me lëvizjen e lirë.
“Kosova ka siguruar një kornizë të fuqishme legjislative dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’iu përgjigjur ndaj rreziqeve të sigurisë dhe migracionit”, shkruan mes tjerash në këtë dokument. Kjo ishte konfirmuar edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit në kuadër të paketës së zgjerimit”, thuhet në konkluzat e dokumentit që u është dërguar vendeve anëtare.
Aty përmendet edhe fakti se Ministria e Brendshme e Kosovës ka siguruar që dokumentet e identifikimit dhe pasaportat biometrike të jenë në tërësi në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Në këtë dokument po ashtu theksohet nevoja që Kosova, edhe pasi të ndodhë liberalizimi i vizave, të vazhdojë përmbushjen e kritereve dhe të arrijë përparim edhe në disa fusha të tjera, si për shembull përshtatjen e politikës së vizave me atë të BE-së. Kjo ka të bëjë me vendet qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në territorin e Kosovës, por u duhet viza për BE. Në këtë drejtim në dokument përmendet fakti se kjo është një çështje ku as vendet e tjera të rajonit, që tashmë kanë liberalizim të vizave, nuk janë përshtatur në tërësi.
Në fund të këtij “non-paperi” që u është dërguar nga ekspertët e Komisionit Evropian vendeve anëtare të BE-së, në prag të diskutimit në grupin punues për vizat javën e ardhshme në Bruksel, konstatohet se “baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim të shkurt mbetet tërësisht i vlefshëm”.
Çështja e liberalizimit të vizave, siç ka bërë të ditur presidenca çeke e BE-së, është vendosur në rend dite të grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, për datën 13 tetor.