Dy letra publike në Facebook në orët e pasdites, i kanë mbyllur rrugët e arritjes së një koalicioni parazgjedhor ndërmjet dy partive të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.
Lëvizjen e parë e bëri kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili i propozoi LDK-së, një kompromis në mënyrë që të garohet bashkë.
Kurti i propozoi partisë së Mustafës që kryeministër të bëhet ai që merr më shumë vota nga lista e të dyja partive.
“Ne nuk mund t'u nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t'i pranojmë. Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani ose kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota”, ka thënë Kurti.
Në këtë ofertë që ia ka bërë Mustafës, Kurti thotë se janë të gatshëm për një koncesion të madh, ku, sipas tij, në listën zgjedhore numër 1 të jetë Vjosa Osmani, kurse numër 2 kandidati që e përcakton Këshilli i përgjithshëm i Vetëvendosjes.
“Me këtë rast, ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë, të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona, ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste, kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”.
Por, nuk ka vonuar përgjigjja refuzuese e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.
Në rrugë të njëjtë, me letër publike në Facebook, Mustafa ka thënë se partia e tij nuk heq dorë nga nominimi i Osmanit për kryeministre.
“LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet. LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udhëheqë vendin”.
Për më tepër, Mustafa ka thënë se oferta e Kurtit do të dëmtonte interesin e përbashkët, por i lë derë bashkëpunimit në të ardhmen.
“Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët. Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë. LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerrë vendin nga izolimi”.
5 orë para përfundimit të afatit, ende zyrtarisht asnjë koalicion parazgjedhor nuk është regjistruar në KQZ.