Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV-ja lë të hapur mundësinë për koalicion me LDK-në e PDK-në vetëm nëse ka ndryshim brenda tyre

Prishtinë, 26 dhjetor (KosovaPress) - Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se nuk do të kenë asnjë problem për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidenti. Partia e Albin Kurtit këto zgjedhje i quajnë referendum për ndryshim, pas të cilave nuk do të ketë nevojë për koalicione me partitë tjera. Megjithatë, shprehën të gatshëm për të garuar në një listë të përbashkët me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në një intervistë për KosovaPress, thotë se bartës i kësaj liste zgjedhore do të jetë lideri i partisë, Albin Kurti. Derisa flet edhe për mundësitë e bashkëpunimit me LDK-në dhe PDK-në.

Për mundësi të koalicionit paszgjedhor, ai shprehet se pa një ndryshim brenda dy partive, nuk do të jetë i mundur bashkëpunimi.

“Ne nuk shohim mundësi bashkëpunimi me subjekte të cilat kanë qenë pjesë e krijimit të situatës së tanishme, pa pasur një distancim nga e shkuara. Pra pa pasur një ndryshim aty. Shpresojmë që të ndodh ndryshimi, ne besojmë në të gjitha subjektet që ka forca progresiste brenda. Kemi besu në LDK dhe ende besojmë se brenda LDK-së ka forca progresive që edhe punojnë dhe ç’kapin shtetin. E njëjta është edhe brenda PDK-së, puna është veç kush do t’i udhëheq ato subjekte, çfarë politike do të udhëheqin. Nëse diçka ndryshon në LDK është situatë tjetër. Kjo PDK dhe LDK që i shohim dhe janë që e kanë sjell situatën deri këtu nuk mund të jemi në koalicion me to”, u shpreh ai.

Aliu thotë se Kurtit e Albulena Haxhiut nuk mund t’iu pamundësohet kandidatura për deputetë, pasi kur janë dënuar për gazin lotsjellës, ka qenë Kodi Penal i vjetër, në të cilin dënimi me kusht nuk ka pasoja juridike.

“Albin Kurti do të jetë bartës i listës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe ne do të shkojmë në zgjedhje me listën që prihet nga Albin Kurti”, u shpreh ai.

Edhe Vjosa Osmani “tërhiqet” pas reagimeve, e PDK-ja s’ka vija të kuqe Zgjedhjet 2026 Vjosa Osmani “tërhiqet” pas reagimeve, e PDK-ja s’ka vija të kuqe

E për bashkëpunimin me Vjosa Osmanin, ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të LVV-së, thotë se mbetet të shihet. Aliu nuk e konsideron problem rrezikun nga moskalimi i pragut të iniciativës së Osmanit, por thotë se do të analizojnë formën më të mirë për të garuar.

“Nuk besoj që zonja Vjosa Osmani ka rrezik të mos e kalojë pragun, ka një autoritet dhe një numër të madh të votave në LDK. Ka qenë figura qendrore e LDK-së në zgjedhjet e kaluara që i kanë sjell LDK-së një rezultat të jashtëzakonshëm. Në këtë aspekt ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, tash mbetet çështje analizash a është më mirë të garojë e vetme me subjekt në veti, apo të garojë në të njëjtën listë bashkë me LVV-në”, thotë Aliu.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fund të janarit ose fillim të shkurtit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshme Qeverinë Hoti.