Edhe pas tre muajsh nga hapja e aplikimeve, SHSKUK-ja nuk ka filluar shpërndarjen e mbi 4 mijë pajisjeve ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Pajisjet me vlerë mbi 6.5 milionë euro vazhdojnë të qëndrojnë në bodrumin e QKUK-së, ndërsa aplikuesit në të gjithë Kosovën përballen me pritje të gjata, mungesë informacionesh dhe barriera burokratike
As pas tre muajsh nga hapja e aplikimit, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk i ka shpërndarë 4.250 pajisje ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Produktet, si karrocat speciale për fëmijë, karrocat elektrike, karrocat tualeti, paterica të ndryshme e pajisje të tjera kanë mbetur në bodrum të QKUK-së edhe pse ka kaluar mbi një vit nga kontraktimi i tyre me vlerë 6.5 milionë euro.
Përfaqësues rajonalë të shoqatës “Handikos” kanë konfirmuar se shpërndarja ende nuk ka filluar.
“Kanë apliku, po po presin. Kanë apliku nja 10 prind dhe ua kanë dhanë dokumentacionet, krejt çka kanë pasë nevojë dhe u kanë thanë pritni. Edhe s’ka kurgjo. Hala nuk i kanë marrë mjetet ortopedike. Valla kanë apliku, dikush një muaj, dikush dy muaj, prej që kanë startu”, ka thënë Myrvete Hasani nga “Handikosi” në Mitrovicë.
Edhe në degën e “Handikosit” në Prizren kanë thënë se, pavarësisht aplikimeve, pajisjet nuk janë dorëzuar ende.
“Ka shku, ia kanë marrë të dhënat dhe nuk e ka marrë. Nuk po më duket e qëlluar dhe e përshtatshme për personat në karrocë.... Unë u kam bërë kërkesë zyrtarëve që me na i sjellë me i shpërnda ne, për mos me ardhë në Prishtinë. Po kemi marrë përgjigje në telefon që duhet me shku atje. A një rast social me shku atje, nuk ia vlen vallahin se më së paku i hargjon 100 euro”, ka deklaruar Merita Shala nga “Handikosi” në këtë qytet.
E njëjta situatë është konfirmuar edhe në Gjilan.
“Ne kemi pasur rast që ka aplikuar një person për dyshek, për karrocë, dhe qe dy muaj e sa prej kur ka filluar distribuimi i tyre, as nuk iu ka kthyer ndonjë përgjigje, as nuk iu ka dhënë pajisja”, ka theksuar Fatmir Shurdhani nga qendra “Handikos” në Gjilan.
Sipas Udhëzimit Administrativ, aplikuesit duhet të shkojnë së paku tri herë në SHSKUK.
Së pari të dorëzojnë kërkesën, e cila shqyrtohet nga komisioni. Pastaj bëhen paraqitjet për vlerësim individual. Në fund komisioni nxjerr vendim dhe përfituesi ftohet për marrjen e pajisjeve.
Drejtori i “Handikosit” në Gjilan, Fatmir Shurdhani, ka thënë se udhëtimi disa herë në Prishtinë është i vështirë për personat në karrocë. Ai është ankuar duke thënë se procesi ka shumë procedura burokratike.
“UA është diskriminues. Nuk mundemi ne me adresu një rast prej Terste, me i ba 50 km me ardhë deri në Gjilan e prej Gjilani edhe 50 të tjera, që nënkupton 200 km për vajtje-ardhje dhe kur t’i teket komisionit me e thirrë me i thanë hajde se tash mundesh me e marrë një karrocë a shtrat elektrik. Kjo është hajgare që e kanë caktuar veç në Prishtinë. Mirë do të ishte të shpërndaheshin në 7 qendra dhe me kanë shërbimet sa më afër qytetarëve”, ka thënë Shurdhani.
Në shoqatën “Handikos” në Prishtinë, e cila ka përfaqësues në komisionin vlerësues për pajisje të emëruar nga Ministria e Shëndetësisë, prej ditësh nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për këtë çështje.
As SHSKUK-ja nuk ka treguar se pse ende nuk ka nisur ende shpërndarja e pajisjeve.
Vetëm pas një jave ky institucion është përgjigjur në pyetjet e KOHËS, duke thënë se procesi pritet të nisë javën e ardhshme.
“Deri tani kemi pranuar 109 aplikime/kërkesa. 109 i kemi pranuar fizikisht. Prej tyre 103 janë shqyrtuar, ndërsa 6 aplikime/kërkesa ende nuk janë shqyrtuar. Deri tani janë nxjerrë gjithsej 68 vendime (67 i kanë marrë palët, ndërsa 1 vendim ende nuk e kanë marrë). Nga java e ardhshme fillon montimi dhe shpërndarja e pajisjeve”, thuhet në përgjigjen e zyrës së aplikimeve në SHSKUK.
KOHA ka raportuar në qershor se SHSKUK-ja ka blerë pajisje me çmim dyfish më të lartë sesa lejohet me udhëzim administrativ.
Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka kërkuar auditim të procesit të prokurimit për 4.250 pajisje. Rezultatet e auditimit nuk janë bërë publike.