Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka ndryshuar mendimin e tij në lidhje me agjendën e vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Kosovë, brenda disa orëve.
Ai para mediave dje në mesditë tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar leje për vizitë dhe një e tillë i është aprovuar.
Por siç ka thënë Pacolli, Vuçiqi e ka bërë një plan tjetër ku thuhet se do ta vizitojë edhe Ujmanin, për të cilin s’i është dhënë leje.
“Vizita në Ujman është e pakuptimtë, nuk e di për çfarë arsye do ta vizitojë në kohë të dialogut, atje s’ka banorë s’ka qendër urbanistike. Çdo vizitë duhet me pas një arsye, duhet me pas një farë baze”, ka thënë Pacolli.
Por në mbrëmje, në një postim në Twitter, dhe njoftim të MPJ-së, Pacolli kishte thënë se “Vuçiq është i mirëseardhur në Kosovë…”.
Edhe
Pacolli deklarohet për vizitën Vuçiqit tek Ujmani
Shkak për këtë ndryshim vendimi ishte bërë një “sugjerim” i shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila lehtëson dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, raporton KSP.
Jetlir Zyberaj nga AKR, njëherësh shef i kabinetit të Pacollit dhe Këshilltar i lartë politik i tij në MPJ, i ka thënë KosovaPress-it se qëndrimi edhe i partisë së tyre, është në vijë institucionale.
“Me sugjerimin e ndërmjetësueses së BE-së dhe aleatëve të tjerë të cilët janë të përkushtuar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy shteteve tona, kërkesa është rishqyrtuar dhe është miratuar itinerari në përputhje me kërkesën zyrtare dhe në përputhje me rregullat për vizitat e zyrtarëve të lartë të paraparë me marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë ai
“Qëndrimi ynë si AKR është institucional dhe shtetëror. Ne jemi të interesuar për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona. Në kuadër të kësaj ne falënderojmë aleatet perëndimorë për mbështetjen që i japin vendit tonë në procesin e konsolidimit dhe integrimit evropian”, ka shtuar Zyberaj.
I pyetur në lidhje me atë, nëse presidenti Hashim Thaçi, duhet të vizitojë Luginën e Preshevës, pas vizitës së Vuçiqit në Kosovë, Zyberaj ka thënë se këtë duhet ta bëjë jo vetëm Thaçi, por edhe kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj e ministri Behgjet Pacollit dhe udhëheqësit e tjerë institucionalë.
”Jo vetëm Thaçi, por edhe Haradinaj, Pacolli dhe të gjithë udhëheqësit institucionalë e kanë për obligim kujdesin për qytetarët shqiptarë të Luginës. Fatkeqësisht Kosova deri më sot ka dështuar që të kujdeset për atë pjesë”.
Edhe
Pacolli: Vuçiqi s’ka arsye të vizitojë Ujmanin
Vuçiqi ishte paraparë të takohet me presidentin Thaçi dje në Bruksel, por kishte anuluar këtë takim dhe në vend të takimit të përbashkët presidentët u takuan veç e veç me Federica Mogherinin.
Vuçiqi pritet të arrijë në Kosovë në orën 14:00.