Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit, në Shqipëri, duke e takuar fillimisht homologun e tij shqiptar, Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Në një konferencë të përbashkët për media, Pacolli veç ri-konfirmimit të bashkëpunimit të fuqishëm në mes të dyja vendeve dhe bashkërendimit të të gjitha aktiviteteve në politikën e jashtme është zotuar për vazhdimin e hapjes së Misioneve të përbashkëta diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
“Ne sot biseduam gjithashtu që sa më shpejtë të vazhdojmë me traditën e hapjes së misioneve të përbashkëta diplomatike në mënyrë që të rrisim efikasitetin, përgjegjësinë dhe të ulim shpenzimet”, ka thënë Pacolli.
Nga ana e tij, Bushati ka ri-konfirmuar mbështetjen e fuqishme dhe të pa ekuivokë të diplomacisë së shtetit shqiptar ndaj të gjitha proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova dhe ka përmendur edhe angazhimin e mëhershëm të Zëvendës-Kryeministrit Pacolli, sidomos në rastin e përpjekjeve diplomatike për anëtarësim në UNESCO, duke nënvizuar se Pacolli ka bërë shpeshherë më shumë se diplomacitë e Tiranës dhe Prishtinës.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare Pacolli pritet të takohet edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryeministrin, Edi Rama.
-
Më 27 nëntor mbledhja e përbashkët e Qeverive Kosovë-Shqipëri
-
Pacolli takon ambasadorët e Quintit në Kosovë
-
Kosova e Shqipëria me marrëveshje për bashkëpunimin diplomatik të të dyja vendeve
-
Pacolli do që Shqipëria të jetë prezente në dialogun Kosovë-Serbi
-
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë viziton Kosovën