Shoqata e grave nga Peja që përballen me kancer, “Duka Vita”, u ka kërkuar institucioneve që disa shërbime onkologjike të decentralizohen dhe që ato t’i ofrojnë edhe spitalet e përgjithshme. Në mungesë të shërbimeve, pacientëve u duhet të udhëtojnë rreth 200 kilometra në ditë për ta siguruar terapinë.
Naxhije Juka-Skenderi, e diagnostikuar me kancer në gji prej më shumë se një dekade, detyrohet të udhëtojë nga Peja për në Prishtinë, për të marrë terapinë tabletare në Klinikën e Onkologjisë.
Ajo tregon për vështirësitë me të cilat përballet dhe shpreh kërkesën që terapia hormonale të shpërndahet edhe në spitalet e përgjithshme.
“Hormono-terapi vazhdimisht kam marrë. Domethënë, për një kuti të tabletave, pacienti i Onkologjisë me dekadë duhet të shkojë në Onkologji në Prishtinë. Çka është absurde, çka i kushton ministrisë ato tableta t’i bartë në Pejë, nëpër mjekësi familjare apo në spital, kudo?”, ka thënë Juka-Skenderi. “Çka është më e dhimbshme, shumica e pacientëve onkologjikë nuk kanë fuqi të nisen vetë, se janë sende të paparashikueshme, secili nga 200 kilometra brenda ditës. Të shkosh ti të maltretohesh, e të presësh atje”.
Juka-Skenderi është edhe kryetare e shoqatës “Duka Vita”, në të cilën gratë nga rrafshi i Dukagjinit zhvillojnë aktivizmin kundër kancerit të gjirit. Ajo thekson se kërkesën për decentralizim të disa shërbimeve onkologjike e parashtroi me dhjetëra herë para përfaqësuesve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar e edhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“Te të gjithë që kanë qenë, besomë prej 2013-s... të gjithë përveç premtimeve asgjë konkrete deri më tani... Drejtori ekzekutiv i spitalit, Fazli Shala, më shumë se dy vjet e ka siguruar repartin dhe është i mbyllur me gati 30 shtretër. Do të thotë i përgatitur. Këto të tjerat i mbesin Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë. Për të gjitha këto kërkesa tona janë të njoftuar të gjithë”, ka thënë ajo.
Në Spitalin e Pejës theksuan se shërbimet mund të ofrohen, nëse për këtë vendoset në nivelin qendror, përkatësisht në SHSKUK dhe në Ministri të Shëndetësisë.
Edhe
Pacientja me kancer bën 170 kilometra rrugë për një pako tabletash
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë shpreh gatishmëri për të ofruar shërbime për pacientë për nevojat që ata kanë dhe rrjedhimisht edhe për pacientë që kërkojnë shërbime onkologjike. Shërbimet e Onkologjisë janë shërbime të nivelit terciar dhe përgjegjësinë për hapjen e shërbimeve apo reparteve të këtij lloji, në rastin konkret Onkologjisë nuk është kompetencë e spitaleve si ofrues të shërbimeve dytësore shëndetësore, por është në kompetencën e SHSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë që përcaktojnë shërbimet, repartet e njësitë për të gjitha institucionet shëndetësore në vendin tonë”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Spitalit të Pejës.
KOHA ka adresuar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë e edhe në SHSKUK, por nuk ka marrë përgjigje në lidhje me kërkesat e shoqatës së pacientëve me kancer.
Shembuj të decentralizimit të disa shërbimeve të këtilla, ka në Kosovë. Prej dy vjetësh mbi 100 pacientë nga rajoni i Prizrenit marrin terapinë tabletare 1 herë në muaj në spitalin e këtij qyteti, ndërsa një onkolog i QKUK-së viziton pacientët në këtë spital.