Arbëri

Pacientët e dializës ankohen për shtretër të fortë, kërkojnë rikthimin e të vjetërve

shtreter - spital

Pacientët e hemodializës në Spitalin e Ferizajt po ankohen se shtretërit e rinj të blerë për ta nuk janë të përshtatshëm pasi po u shkaktojnë më shumë dhimbje. Ata kanë kërkuar që këta shtretër të ndërrohen. Në Spitalin e Pejës njoftuan se kanë rikthyer në përdorim shtretërit e vjetër e në atë të Prizrenit theksuan se pacientët janë përshtatur pas disa ditësh

Pacientët me dializë në Spitalin e Ferizajt kanë shprehur pakënaqësi me shtretërit e rinj, me të cilët u furnizua spitali rreth një muaj më parë.

Dhjetëra pacientë të dializës janë ankuar se shtretërit janë të fortë dhe të papërshtatshëm për qëndrime të gjata, duke theksuar se gjatë seancave rreth katërorëshe të hemodializës po u shkaktojnë dhimbje dhe parehati të vazhdueshme. 

Një pacient që foli në kushtin e anonimitetit gjatë së mërkurës tha se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore prej kur është duke përdorur shtretërit e rinj.  

“Me shtretërit është katastrofë, kanë pru shtretër të rinj, ata nuk janë të përshtatshëm për dializë. Që prej kur i kanë sjellë, unë jam edhe më i sëmurë. Unë kam ardhur këtu me u shëru, jo me u sëmurë hala... Edhe nuk rrihet kurrqysh, janë të fortë. Ata janë për gjysmë ore, një orë më shumë, po për 4 orë nuk mundet me qëndrua njeri aty. Mua gjithë ditën të nesërmen më dhëmbin kockat, më dhembin krejt, që kam dhimtë prej atij krevati. Ato krevate janë kanë më të mirë 100 hise se këta, ke mujt me u shtri, ja andej, ja këndej. Me këta si të shtrihesh si i vdekur ke me nejt, nuk mundesh me livrit as anej as këndej”, ka thënë ai. 

Edhe pacienti Nebih Xhema thotë se fortësia e shtretërve po i shkakton dhimbje të mëdha trupore. 
“Krevatet i kemi pasur normal me ngritje, me ulje me krejt. Na i kanë pru krevatet të skajit, taman sikur karrigat, dhëmbët që i ndreqim, na i kanë pru qasi. Shoqëria nuk është duke i pranuar asnjë... Nëse ka mundësi me na i ndërruar ose me i hek këta kreveta bahet mirë. Këtu është në pyetje tenderi”, ka thënë Xhema. 

E pacienti Avdullah Musa tregoi se si një nga pacientët është detyruar të sjellë dyshekë nga shtëpia. 
“Shtretërit i ka sjellë dikush, por nuk janë si duhet. Tash një shok ka sjellë shilte prej shtëpisë. Nëse secili fillon me sjellë dyshek nga shtëpia, këtu bëhet katastrofë”, ka thënë Musa. 

Ankesa të ngjashme kanë shprehur edhe pacientë të tjerë, të cilët të mërkurën përfunduan një nga seancat e rregullta të hemodializës. 

“Unë ankohem për kreveta se shumë dobët, nuk po mundemi me nejt. Mjedisi, shpina, gjithçka d.m.th. me dalë një orë para kohës se po ligshtohemi, nuk po mujna me nejt kurrqysh, sikur te dhamt. Ju lutem me e ba kërkesën ata kush na i ka pru me na i hjek e me na i pru ata që i kena pas se nuk po mundemi”, ka thënë njëra nga pacientet. 

Edhe një paciente tjetër ka kërkuar rikthimin e shtretërve të vjetër, të cilët tha se ishin shumë të rehatshëm për qëndrim të gjatë. Sipas saj, ata kishin nevojë vetëm t’u ndërrohen çarçafët apo dysheku. 

“Këta kreveta nuk na bëjnë. Na dhemb shpina, na dhemb trupi. Jemi edhe ashtu të sëmurë dhe nuk po mundemi me qëndru. Dyshekët e vjetër kanë qenë të zhytur, por kornizat kanë qenë më të mira. Mjaftonte vetëm ndërrimi i dyshekëve”, ka thënë ajo. 

Në Spitalin e Ferizajt nuk pranuan të prononcohen gjatë ditës lidhur me ankesat e pacientëve, pa pasur një leje paraprake nga ShSKUK-ja.

E burime brenda spitalit konfirmuan se profesionistët shëndetësor dhe menaxhmenti janë të njoftuar lidhur me shqetësimet që kanë ngritur javëve të fundit pacientët. 

Situata të ngjashme janë raportuar edhe në spitalet e tjera të vendit, të cilët në fund të vitit 2025 u furnizuan me shtretër që i bleu ShSKUK-ja. 

Në Spitalin e Pejës kanë konfirmuar se pas ankesave të pacientëve kanë rikthyer në përdorim shtretërit e vjetër. 

“Pas vendosjes në përdorim, kemi pranuar disa ankesa nga pacientët lidhur me fortësinë dhe komoditetin e këtyre shtretërve gjatë seancave të dializës. Duke e konsideruar seriozisht çdo shqetësim të pacientëve tanë e sidomos pacientëve të hemodializës, menaxhmenti i spitalit dhe Këshilli Drejtues e kanë trajtuar menjëherë këtë çështje. Pas një periudhe rreth dyjavore është marrë vendim që këta shtretër të largohen nga përdorimi dhe në repart janë rikthyer shtretërit e mëparshëm, me të cilët pacientët ishin më të përshtatur”, kanë thënë në Spitalin e Pejës.

Edhe në Spitalin e Prizrenit janë raportuar ankesa, por sipas menaxhmentit, pacientët janë përshtatur pas disa ditësh.

“Në fillim kemi pasur disa ankesa, por brenda disa ditësh pacientët janë përshtatur, pasi që sipas kushteve nevojiten këta shtretër modernë, siç janë edhe në Evropë. Numri i ankesave nga pacientët ka qenë shumë i vogël. Ndërrimi i shtretërve ka qenë shumë i nevojshëm, pasi që shtretërit e vjetër kanë qenë të demoluar dhe të dëmtuar ndër vite”, kanë thënë në spital.Në një përgjigje nga Spitali i 

Mitrovicës thuhet se nuk ka pasur ankesa zyrtare. Por disa pacientë me të cilët ka kontaktuar KOHA, kanë treguar për pakënaqësitë e njëjta.

Në ShSKUK nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me furnizimin me shtretër, e as për hapat që do të ndërmarrin për zgjidhjen e kësaj çështjeje.