Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka ngritur shqetësimin e largimit të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, si shkak i mungesës së fondeve.
Në një intervistë për “60 Minuta” të KTV-së, Syla ka thënë se ka paralajmërime nga avokatët kryesorë, si Luka Misetiq – mbrojtja e Hashim Thaçit, që pa mjete do të ketë probleme të vazhdohet puna.
“Ndërprerja e fondeve na ka shqetësuar shumë sepse kemi pasur dorëheqje të tjera të avokatëve të tjerë të z.Thaçi e z.Veseli. tani ka paralajmëruar avokati kryesor i z.Thaçi që nëse ka mungesë fondesh, do ta ketë problem ta vazhdojë punën. Z.Misetiq ka dhënë një deklaratë duke paralajmëruar që nëse vazhdohet kështu dhe pengohet mundësia financiare për ta, gjasat janë që ai të mos mund të vazhdojë me punën më. Prej kësaj qeverie jo që presim diçka tjetër”, ka thënë ai.
Syla ka shtuar se mungon bashkëpunimi i organizatës me qeverinë.
“Nuk kemi shumë informata për fondet sepse nuk kemi bashkëpunim me këtë qeveri. Prej se ka ardhur LVV-ja në krye të qeverisë, ne nuk kemi pasur komunikim fare”, ka thënë ai.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së ka vlerësuar se ka përpjekje nga Prokuroria dhe Gjykata në Hagë që të barrikadohen kundër mbrojtjes.
“Dhe nëse këtë mbrojtje ne e kemi të pafuqishme për t’iu kundërvënë, kjo e dëmton shumë procesin. Nëse ndodh kjo, tregon se shteti ynë nuk i përkrahë ata njerëz, prandaj do të shkaktojë dëm të madh. Kjo gjykatë është politike, po ndikohet politikisht dhe mendojmë se verdikti final do të jetë i ndikuar politikisht”, ka thënë ai.