OVL e UÇK-së e ka quajtur të papranueshme zgjedhjen e Dimal Bashës kryetar të Kuvendit të Kosovës. Përmes një reagimi, organizata ka shprehur se “është e pafalshme” që Kuvendi të drejtohet nga një njeri që ka fyer e sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët.
Sipas OVL-së, zgjedhja e Bashës është njollë dhe goditje për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.
“Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë... Këtu lind pyetja për deputetët që e votuan këtë kandidat, përtej Lëvizjes Vetëvendosje: Si munde ta votosh dhe t’i jepni besimin një personi që vazhdimisht ka qenë kundër UÇK-së?” thuhet në reagim.
Në rrjete sociale të mërkurën është nxitur diskutim mbi Bashën pas publikimit të një artikulli ku thuhet se Basha kishte shkruar kundër UÇK-së. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar shkarkimin e Bashës, teksa ka publikuar një pjesë të artikullit.
“Kosova jonë kishte dhe ka ‘kontribuues’ si Dimal Basha, por si këto dy faqe që dëshmojnë thellësinë e gënjeshtrës, seriozitetin e mashtrimit dhe antikombtarizmit, nuk mund të gjenden nga autorë shqiptarë”, ka shkruar Lladrovci.