Arbëri

Osmani uron për 28 Nëntor: Shpresoj që e ardhme e ndritur t’i presë Shqipërinë e Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përcjellje të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përvjetorin e 109-të të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Jemi këtu sot më 28 Nëntor për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë, që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, por vazhdoi me shumë e shumë sakrifica të shqiptarëve gjithandej për liri. Prandaj sot e filluam ditën te komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari, për të nderuar sakrificën e tyre. 28 Nëntori përveç simbolikës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe rëndësisë historike të ngritjes së flamurit, është datë edhe kur ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari, po ashtu datë kur ka dalë për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të gjitha këto i japin kuptim shumë më të madh festave të nëntorit. Duke nderuar sakrificën e gjithë atyre që dhanë jetën e mundin për lirinë tonë, dua që sot t’i uroj gjithë shqiptarët gjithandej për këtë festë të rëndësishme tonën, për këtë festë të rëndësishme të përbashkët, duke shpresuar që një e ardhme e ndritur do e pret Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës”, ka thënë Osmani.