Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Al Jazeeran” të hënën ka thënë se asgjë nuk do t’i ndalë synimet e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s.
Osmani ka thënë se Kosova do të ishte vlerë shtesë për NATO-n, pasi anëtarësimi i saj do të sillte paqe, stabilitet e siguri për gjithë rajonin.
“Si presidente e shtetit më pro-Nato dhe më pro-Evropian në botë, më duhet të them se Rusia absolutisht do të vazhdojë me qasje të njëjtë të kërcënimit ndaj shteteve që zgjedhin rrugën euroatlantike, duke kërcënuar se do të veprojë si në Ukrainë. Para disa ditëve ambasadori i Rusisë në Bosnjë tha se nëse Bosnja i bashkohet NATO-s atë e pret një gjë e ngjashme si Ukrainën. Është një kërcënim direkt jo vetëm për Bosnjën por gjithë shtetet në rajon apo mëtej, që kanë synim t’i bashkohen aleancës. Por, kjo nuk duhet të na ndalë që t’i bashkohemi NATO-s. NATO nuk është thjeshtë makinë ushtarake, por është sistem i bazuar në vlera. Duam t’i bashkohemi për shkak të vlerave që paraqet, por edhe për shkak të sigurisë që do t’i sillte rajonit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut në NATO ka sjellë më tepër siguri për rajonin.
“Sollën më tepër paqe e stabilitet anëtarësimet. Shtimi i Kosovës e Bosnjës në këtë familje do të sillte ditë të mira për gjithë rajonin. Ditë më të mira për gjithë kontinentin e Evropës. E kuptoj që katër shtetet anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën mund të kenë hezitime, porse duhet ta shohin këtë nga pikëpamja e sigurisë. Nëse e shohin në këtë mënyrë, e kuptojnë pse është me rëndësi që shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen NATO-s”, tha Osmani.
Edhe
Si mund ta shfrytëzojë Kosova momentin gjeopolitik për t’u afruar me NATO-n?
Osmani ka thënë se fillimisht Kosova synon t’i bashkohet programit të NATO-s, “Partneriteti për Paqe”.
“Ajo që po bëjmë tash është të hapim bisedime politike me shtetet që janë anëtare të NATO-s, të futemi së pari në Partneritet për Paqe, e të vazhdojmë me hapa tjerë. Në programin e Partneritetit për Paqe ka shtete anti-NATO si Bjellorusia e Lukashenkos dhe Serbia. Bjellorusia po e ndihmon direkt Rusinë, ndërsa Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Të dyja thonë se kurrë nuk do të anëtarësohen në NATO, e të dyja janë në këtë program të Partneritetit për Paqe”, tha Osmani.
Sa i përket krahasimit që Rusia po e bën në mes të pushtimit të Ukrainës dhe bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999, Osmani ka thënë se nuk ka asnjë ngjashmëri.
“Besoj se e vërteta është e qartë, e askush nuk duhet të bie pre e propagandës ruse. Ajo çfarë ndodhi në ish-Jugosllavi ndodhi në sy të krejt botës. Ishin gazetarët e guximshëm që erdhën në Kosovë, Bosnjë e Kroaci e u treguan njerëzve në botë se çfarë po ndodhte. Ajo që po ndodhte ishte gjenocid, krim kundër njerëzit, e krime lufte që po bëheshin me direktivat e ‘kasapit të Ballkanit’ Sllobodan Millosheviq dhe regjimit të tij. Ministrat e tij po e udhëheqin tash Serbinë. Presidenti i Serbisë ishte ministër i propagandës së Millosheviqit. Janë shumë të mirë për propagandë dhe i shërbejnë Rusisë në këtë. Ka një ngjashmëri në situatë, pasi krimet e Millosheviqit dhe ato të Putinit, janë të njëjta. E nuk ka ngjashmëri siç po pretendon Lavrovi e Putini. NATO intervenoi në Kosovë për ta ndaluar një gjenocid ndaj njerëzve të pavarur të Kosovës. Rusia po bën luftë të paprovokuar në Ukrainë ndaj civilëve e njerëzve të pafajshëm”, tha Osmani.
Edhe
Osmani: Anëtarësimi në NATO më urgjent për Kosovën sesa integrimi evropian
Osmani ka thënë se shpreson që bota të marrë mësim se “me autokratë nuk ka paqe dhe se ata sjellin vetëm shkatërrim e dhembje”.
“Ne duhet të sigurohemi që gjitha shtetet, të mëdha e të vogla, të bashkohemi e të sigurohemi që regjimi i Putinit të kolapsoi e të ndalim atë çfarë po bën Rusia”, tha Osmani.