Arbëri

Osmani: Partneriteti me SHBA-në mirëmbahet nga lidhja e fortë mes njerëzve tanë

Vjosa Osmani dhe Carol Spahn

Foto: Alban Bujari

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se misioni i Korpusit të Paqes së SHBA-së në Kosovë ka ndihmuar marrëdhëniet SHBA-Kosovë përgjatë shumë vitesh.

Ajo ka takuar drejtoreshën e Korpusit, ndërsa në paraqitjen në konferencën për media Osmani ka theksuar se raporti i mirë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës mbahet me lidhjen e fortë të dy popujve.

“Korpusi i Paqes është personifikimi më i mirë i partneritetit mes SHBA e Kosovës ngase një raport i tillë ndërtohet, mirëmbahet, zhvillohet si rezultat i lidhjes së fortë mes njerëzve tanë. Një investim nga ana juaj rezulton në impakt afatgjatë pozitiv në Kosovë. Prania e vullnetarëve të Korpusit është shembull i aleancës dhe partneritetit mes SHBA-së e Kosovës. Ky mision përgjatë 10 vjetëve po vazhdon të ndihmojë në shkrimin e një kapitulli të ardhshëm të historisë sonë të përbashkët, kapitull me optimizëm, gjithëpërfshirje dhe respekt të ndërsjellë”, ka thënë ajo.  

E, drejtoresha e Korpusit të Paqes, Carol Spahn, ka thënë se puna e misionit do të vazhdojë edhe më tej, sidomos me komunitetet që të tejkalohen dallimet.

“Populli i Kosovës i ka mirëpritur vullnetarët... Ata i kanë zgjeruar aftësitë që janë shkathtësi që kanë ndihmuar në shtytjen e projekteve që gratë e Kosovës të fitojnë shkathtësi në punësim. Falënderoj vullnetarët, familjet që e kanë hapur zemrën, na kanë ndihmuar dhe juve presidente u jam falënderuese për këtë. Ata do të mbesin të lidhur me Kosovën gjithë jetën, jemi krenarë për punën e arritur dhe presim të punojmë me komunitetet përtej kufijve për të kaluar të gjitha dallimet”, ka thënë Spahn.