Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 28 Nëntorit.
Me këtë rast e para e shtetit tha se në këtë ditë po festohen tri festa Dita e Flamurit, ditëlindja e komandantit Adem Jashari dhe dalja e parë në skenë e UÇK-së.
Kjo ditë, tha ajo, na e kujton çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificat që janë bërë ndër shekuj, madje tha se kjo ditë duhet të jetë ditë reflektimi për atë që kanë bërë të gjithë heronjtë.
Osmani pohoi se nderimi për familjen Jashari do të jetë i vazhdueshme duke shtuar se për këtë familje respekti duhet të jetë i jashtëzakonshëm.
“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një familje si familja Jashari duke e shënuar ditëlindjen e heroit dhe daljen e UÇK-së. Kjo ditë na kujton çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificave që janë bërë për shekuj që ne të jemi të lirë. Është moment reflektimi për atë që heronj tanë kanë bërë që nga Skënderbeu e deri te Ismail Qemajli e te komandanti Adem Jashari. Lavdi të gjithë atyre që kanë dhënë për lirinë dhe respekt i jashtëzakonshëm për familjen Jashari”.
Konjufca tha se 28 Nëntori gjithmonë fillon në Prekaz, aty ku ka ndodhur sipas tij sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri.
“28 nëntori në Kosovë gjithmonë fillon në Prekaz, këtu ku ka ndodhur sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri dhe këtu është ngjizur lufta e lavdishme e UÇK-së, po ashtu kjo datë është edhe dalja publike e ushtrisë tonë çlirimtare e po ashtu në të njëjtën kohë është edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Nëntori do të festohen gjithmonë, uroj që ne të na gjejnë gjithmonë më të bashkuar dhe gjithnjë më të fortë. Lavdi dëshmoreve dhe urime dita e flamurit gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata”, tha Konjufca.