Arbëri

Osmani: Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 28 Nëntorit, ka bërë homazhe tek kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz.

“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bënë fli për lirinë tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj 28 Nëntori shënon tri data historike. “Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t'u kujtuar veçanërisht më 28 Nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike. Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë!”, ka shkruar Osmani.

Presidentja është pritur nga vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, Rifat Jashari.

Bashkë me Osmanin ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ndërsa, zv.kryeministri Besnik Bislimi, së bashku me ministren ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi dhe ministra të tjerë, bënë homazhe, para shtatores së Skenderbeut, pranë objektit të Qeverisë.

Image

Foto: Alban Bujari/KOHA


Bislimi: Do të punojmë çdo ditë të vitit që zotimet e komandantit legjendar të realizohen

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të punojë çdo ditë të vitit që zotimet e komandantit legjendar, Adem Jashari, të realizohen.

Bislimi ka bërë homazhe tek kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz, në përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në vendin ku më mirë se gjithkund tjetër në Kosovë të dëshmohet sakrifica jonë në këtë ditë të rëndësishme, ku jemi krenarë për të gjithë ata burra dhe gra që për dekada dhe shekuj kanë punuar palodhshëm dhe me vetë-mohim për të gëzuar këtë liri që ne sot e kemi, dhe për të reflektuar për ato obligime, të cilat ende nuk i kemi përmbushur si Qeveri e Kosovës zotohemi se për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e komandantit legjendar Adem Jashari, por edhe komandantëve të tjerë që nga koha e Skënderbeut përfundimisht të realizohen”, ka theksuar Bislimi. / ksp


Kusari-Lila: Sakrifica e familjes Jashari e pashembullt në kombin tonë

Homazhe në Prekaz kanë bërë edhe deputetë e zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se sakrifica e familjes Jashari është e pashembullt.

“Jemi këtu sot në nderim të 28 nëntorit, ditës e cila ka shumë kuptime për kombin shqiptar, në një peshë të veçantë ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, 110 vjetori i shpalljes të Shqipërisë së pavarur, dita e flamurit një ditë që në peshë dhe rëndësi çdo ditë e më shumë po tregon se sa e rëndësishme është të kultivohet e sa e rëndësishme është të kujtohet, se sa e rëndësishme është që ne çdo ditë të angazhohemi që këtë ditë ta bëjmë realitet për idealin dhe sakrificën e gjithë atyre të nuk janë më sot, me përulje si çdoherë tjetër për të nderuar një sakrificë e cila është e pashembullt në kombin tonë në kuptimin e sakrificës me tërë familjen dhe përpjekjeve të vazhdueshme, inspirinit dhe mesazhin që sakrifica e familjes Jashari dha pastaj për ushtarët e UÇK”, ka deklaruar ajo. / ksp


Çitaku: Prekazi, themel i shtetit të Kosovës

Në 110 vjeturinë e pavarësisë së Shqipërisë dhe në ditën e lindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari sot homazhe në kompleksin Memorial në Prekaz, kanë bërë edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë më anëtar të kësaj partie.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se në një ditë si kjo patjetër që duhet të kujtojmë që ka shumë familje që kanë dhënë gjithçka e ka ende familje që po paguajnë çmimin e lirisë.

“Nga do që të shkojmë si shqiptarë nga këtu nisemi nga Prekazi legjendar, nga themeli i shtetit të pavarur të Kosovës. Nga këtu sot për të shënuar 28 Nëntorit, nëntorin e madh, festën e shumëfishtë të shqiptarëve dhe në një ditë si kjo është mirë t’ia kujtojmë vetës çmimin e lartë të lirisë, t’u flasim fëmijëve tanë, mos ta marrim të mirëqenë lirinë që e kemi dhe ta duam vendin dhe njëri-tjetrin më shumë. Respekt për familjet e dëshmorëve për sakrificën e madhe që është bërë, andej e këndej kufirit, sot të festoj në liri e në një ditë si kjo patjetër që duhet të kujtojmë që ka shumë familje që kanë dhënë gjithçka e ka ende familje që po paguajnë çmimin e lirisë”, ka thënë Çitaku.